Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesa e pa kushtëzime, nëpërmjet një plani të sekuecimit të drejtë, të balancuar e gjithëpërfshirës.
Ai ka deklaruar para studentëve në Universitetin Leiden në Hagë se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa ka shtuar se rruga drejt BE-së është fat e vizion i Kosovës.
“Bashkimi Evropian është vizioni, fati e destinacioni ynë. Sinjali që japin dhe raportet e përpiluara për Kosovën siç është vetë ai i Komisionit Evropian, i cili dëshmoi suksesin e vendit tonë, mund të përdoret si kriter matës për të treguar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe mbi prapavijën e procesit të dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjen Bazike të arritur këtë vit. Ai tha se marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushtëzime, përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Bislimi, thuhet në komunikatën e Zyrës së Komunikimit Publik të enjten.
Sipas komunikatës, Bislimi ka folur edhe mbi potencialin e Kosovës për zhvillim.
“Sa i përket integrimit evropian, foli mbi mbështetjen e gjerë të qytetarëve ndaj anëtarësimit në familjen evropiane. Me rëndësi është fuqizimi i mesazhit se Kosova, përmes dhe institucioneve të saj të maturuara e të përgatitura, është e gatshme të bëjë hapa tutje në këtë proces”, thuhet tutje.
Më 14 shtator, Kosova e Serbia do të takohen në Bruksel për të diskutuar mbi procesin e dialogut.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar se do të flitet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.