Arbëri

Sadiku: Serbët nuk janë pro zgjedhjeve me peticion

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku, ka thënë se të gjitha komunitetet në komunat veriore janë të lodhura nga situata e tensionuar atje, dhe sipas tij, përfshirë edhe komunitetin serb, të gjithë po e kërkojnë një zgjidhje që do t’i jepte fund tensioneve.

Sadiku në Interaktiv ka thënë se serbët nuk janë shumë pro që zgjedhjet të bëhen sipas peticionit.

Të martën u finalizua Udhëzimi Administrativ i cili u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri. Bazuar në të, kryetarëve aktualë mund t’u ndërpritet mandati vetëm nëse pas peticionit për largimin e tyre deklarohen së paku 50% e trupës votuese të komunës përkatëse.

“Me entuziazëm nuk është pritur edhe pse udhëzimi është rang më i ulët se ligji. Kjo më shumë do varet nga komuniteti shumicë serb që nuk janë të disponuar që ta bëjnë në këtë formë, mbeten edhe versionet tjera, o të jepet dorëheqja që është rruga më e lehtë. Ishte edhe një mundësi që kryetarët ta ndërrojnë adresën e vendbanimit dhe automatikisht të shkohet në zgjedhje”, ka thënë ai.

Sadiku ka theksuar se edhe gjendja aktuale siç janë kryetarët në katër komunat veriore, nuk është normale.

“Mos qofsh në lëkurë të kryetarëve, këta kryetarë janë në gjendje abnormale. E pamë sa janë fragjile këto zgjedhje, do të shfrytëzojmë momentumin dhe të gjendet zgjidhja më e mirë”.

Sipas Sadikut, duhet t’u kushtohet vëmendje komuniteteve të tjera përveç atij shqiptar e serb, të cilët ai thotë se janë lënë pas dore.