Arbëri

Osmani për Kurtin: Nganjëherë s’pajtohemi për javë të tëra, por s’e ndërpresim komunikimin

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se gjatë bashkëpunimit me kryeministrin Albin Kurti, ka nuanca të mospajtimit.

Në një intervistë dhënë “Top Channelit” të hënën, Osmani ka thënë se mund të ndodhë të mos pajtohet për javë të tëra me kryeministrin, por nuk e ndërpresin komunikimin kur ka mospajtime.

“Ne bisedojmë, punojmë bashkë me kryeministrin vazhdimisht, në asnjë moment nuk e kam atë përshtypje (që po përdoret veriu si agjendë elektorale), natyrisht që është detyrë e të gjitha institucioneve ta mbrojnë kushtetutshmërinë e vendit, t’i luftojnë bandat në veri. Nuk them që ka konflikte, ka nuanca për tema të ndryshme nga temat e brendshme deri te temat për diskutime me aleatët, por nuancat janë krejtësisht normale. Nganjëherë nuk pajtohemi me javë të tëra, por e arrijmë një pajtim. Ne komunikojmë, nuk e ndërpresim komunikimin edhe kur kemi mospajtime”, ka thënë ajo.

Osmani është deklaruar edhe për raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik, për çka ka thënë se asnjë sukses i vendit nuk do të arrihej pa rolin ekzistencial të SHBA-së.

“Unë e refuzoj atë qasjen kur duhet të zgjedhësh mes mbrojtjes të sovranitetit dhe interesit të shtetit tënd dhe aleatit tënd strategjik. Nuk ke nevojë të zgjedhësh sepse të dyja janë e njëjta në fakt. Duhet ta kuptojmë që SHBA-ja qëndron po aq sa ne fuqishëm për sovranitetin e Kosovës, për pavarësinë tonë dhe integritetin territorial, prandaj nuk besoj që duhet të zgjedh mes të dyjave sepse as nuk janë në kundërshti. Koordinimi me aleatët nuk të bën më pak sovran. Jo gjithnjë pajtohemi që në fillim rreth taktikave dhe strategjive që duhet zgjedhur bashkë me miqtë tanë për ta arritur qëllimin e përbashkët, por gradualisht vijmë deri te pika e përbashkët”, është shprehur ajo.