Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Kjo është bërë pasi që Komuna e Prizrenit, para dy javësh e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Deri më tani bazuar në këtë nën të këtij Ligji, Komuna e Graçanicës, ajo e Obiliqit dhe Komuna e Drenasit ua kanë falur nga 100 euro të tatimit në pronë qytetarëve për vitin 2023.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) vazhdimisht kishte kundërshtuar këtë Ligj.
Kërkesa është dërguar në Kushtetuese nga komuna e Prizrenit, pasi që AKK-ja nuk është palë e autorizuar për të ju drejtuar Kushtetueses.
Por, kjo Komunë ka kërkuar që masa e sigurisë të vlejë për të gjitha komunat, ashtu sikurse edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.