Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, nëpërmjet një deklarate kanë bërë thirrje për përparim në përcaktimin e fatit të 1616 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, të cilët janë ende të pagjetur.
Në këtë deklaratë të përbashkët thuhet se Lajçaku ka deklaruar se duhet bërë shumë punë nga palët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në këtë çështje.
“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur, e miratuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në maj të vitit 2023, synon të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për të lehtësuar bashkëpunimin e palëve për personat e zhdukur. Ajo gjithashtu parashikon krijimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK-ja”, ka shtuar ai.
Duke ofruar mbështetjen e tij për familjet që ende presin të zbulojnë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, Szunyog theksoi rëndësinë e sigurimit që zëri i familjeve të personave të zhdukur të dëgjohet.
Ndërsa shefi i Misionit të EULEX-it vuri në dukje se ekspertët e misionit vazhdojnë të punojnë së bashku me homologët e tyre kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar fatin e personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varreve klandestine dhe zhvarrosjen e identifikimin e personave të zhdukur.
“Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, përfshirë 339 persona të zhdukur. Ne mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t'u dhënë përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, thuhet të ketë thënë ai.