Arbëri

Nagavci: Po shqyrtohen ankesat për furnizim me libra, çdo abuzim do të adresohet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Ministria është duke shqyrtuar ankesat e qytetarëve për procesin e furnizimit të librave. Javën e shkuar, MASHTI njoftoi për ndarjen nga 80 euro për prindërit e nxënësve të klasave nga e para deri në të pestën për t’i blerë librat shkollorë.

Procesi është përcjellë me debat të madh në publik, ndërsa së fundmi qytetarët janë ankuar se pagesa për libra po u mbërrin gati në 80 euro, dhe se ato nuk mund të vlejnë edhe për furnizim me materiale të tjera shkollore, siç thoshte Nagavci.

Në një shkrim në Facebook të mërkurën, Nagavci ka thënë se deri tash kanë aplikuar 92 mijë prindër për t’i marrë mjetet e ndara nga Ministria. Ajo ka thënë se aktualisht MASHTI është në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve nëpër xhirollogari.

“Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se për nxënësit që janë 5-vjeçarë, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve.

“Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore. Kemi kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave tona, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale. Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t'i ndajnë këto lista me prindërit andaj, lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit. Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten”, ka shtuar ajo.

Në fund, Nagavci ka deklaruar se çdo abuzim me çmime do të adresohet.

“Çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohet tek autoritetet kompetente”, ka shkruar ajo.