Arbëri

Osmani: Vizita e Kurtit në Maqedoni të Veriut u tentua të keqpërdorej

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut javë më parë, u tentua të keqpërdorej nga parti të vogla atje, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ai ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së të hënën se vizita e Kurtit atje u keqpërdor nga “parti minore” për të krijuar një polarizim shtesë të situatës, në një periudhë kur Maqedonia e Veriut “ishte disa ditë para seancës plenare historike”.

“Është normale që edhe kryeministrat e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut të bëjnë vizita. Vizita u bë temë sepse u tentua të keqpërdorej nga parti minore në Maqedoni, veçanërisht duke prezantuar edhe simbole që mund të shihen si provokative. Kjo u bë për të krijuar një polarizim shtesë, në një situatë veçse të polarizuar në Maqedoninë e Veriut. Ndodhi disa ditë para seancës plenare historike ku u bë debati për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni të Veriut, ku shoqëria është e ndarë. Këtu nuk kam vërejtje për vizitën, por për tentimin e të tjerëve për të keqpërdorur”, ka thënë Osmani.

Sipas ministrit të jashtëm, Kosova e Maqedonia e Veriut kanë raporte të mira dhe komunikime të shpeshta, por siç është shprehur ai, kontaktet gjithmonë janë institucionale.

“Ne komunikimin e kemi pasur mbi parimin që komunikojmë me shtetin e Kosovës, pavarësisht se cila parti e udhëheq shtetin, ne kemi komunikuar me institucionet. Kombinime partiake ka pasur mbështetje të tilla reciproke, mirëpo e kaluara tregon se në Maqedoni të Veriut ndikimet nga jashtë janë të pakta. Në Maqedoni të Veriut kemi fatin të kemi Ali Ahmetin drejtues të shqiptarëve, një njeri si strateg i madh në çështjen kombëtare...Kemi një organizatë si BDI-ja që ka ndërtuar detyrën e platformës së shqiptarëve”, është shprehur ai.

Osmani ka potencuar se raportet mes Kurtit dhe Ahmetit janë korrekte, derisa ka shtuar se Maqedonia e Veriut e sheh Kosovën si shtysë për stabilitetin rajon.

“Dialogu Kosovë-Serbi u mbajt në Ohër për shkak të rolit të ri që ka Maqedonia e Veriut në rajon. Për shkak të qasjes konstruktive tonë që kemi pasur ndaj Kosovës që kemi për mbylljen e këtyre dallimeve me Serbinë me një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë dhe integrimin e shteteve të rajonit”, ka thënë ministri i Maqedonisë së Veriut.

Ai ka shtuar se tentimi për ndryshimin e emrit të rrugës së Çairit në “Adem Demaçi”, e shtyrë edhe nga kryeministri Kurti, s’mund të bëhet pasi sipas tij, kjo bëhet me vendimin e qeverisë së Maqedonisë dhe të institucioneve lokale.