Arbëri

Prokurori që e akuzoi Murati për “mbrojtje të ish-pushtetit”, pjesë e ekipit hetues për rezervat

Prokurori që ministri i Financave, Hekuran Murati, e akuzoi të shtunën për mospunë në rastin e kallëzimit penal që Qeveria ka dorëzuar për “monopolin e shënjimit të naftës”, del të jetë pjesë e ekipit hetues për rastin e dyshimeve për dallavere me furnizim të rezervave shtetërore. Milot Krasniqi dhe Valdet Gashi janë dy prokurorët që kanë kryer hetimet në rastin që ka rezultuar me arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni, ka mësuar KOHA.

Gjatë të shtunës, ministri Murati përmendi pikërisht prokurorin e Prokurorisë Speciale si prokurori i ngarkuar për rastin e kallëzimit penal të MINT-it ndaj ish-ministrit Vesel Krasniqi për “monopol në tregun e naftës”, për “shënjimin e naftës”. Murati akuzoi Prokurorinë Speciale se s’ka bërë asgjë qëkur MINT-i dorëzoi kallëzim penal më 3 maj 2021. Ai akuzoi prokurorët se luftimi i krimit dhe korrupsionit “nuk është mision i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”.

“E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja”, ka vazhduar Murati në shkrimin e tij në Facebook.

Pikërisht Krasniqi është njëri nga dy prokurorët e përfshirë në rastin e fundit të shumëpërfolur për dyshimet për dallavere me rezerva shtetërore. Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmeni Ridvan Muharremi dyshohen për dallavere me furnizimin e rezervave shtetërore. Sipas Prokurorisë, ata ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të destinuara për rezerva shtetërore dëmin prej mbi 600 mijë eurosh. Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare. Në dokument theksohet se vlera e dëmit të pretenduar është 601 mijë e 940 euro.