Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksionit të organeve të drejtësisë në Ministrinë e Industrisë dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, ku u arrestuan dy zyrtarë të ministrisë dhe një biznesmen nën dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore.
Haradinaj ka thënë se përgjegjës për “skandalet” ku janë përfshirë zyrtarë është kryeministri Albin Kurti.
“Degradimi i qeverisë ka arritur në përmasa enorme, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Përderisa kaq shumë zyrtarë qeveritar dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet, të padëgjuara më parë në Kosovë, atëherë akuzat drejtohen vetëm në një adresë. Koka dhe udhëheqësi i tyre, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti”, ka thënë ai.
Haradinaj ka theksuar se zgjidhja për situatën në vend është mocioni i mosbesimit kundër Qeverisë Kurti.
“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, e që nuk dorëhiqet, obligohet mobilizimi i të gjithë atyre që e dojnë Atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, pa dallime partiake. Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t'i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.