Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar arrestimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari.
Zyrtari i LDK-së Berat Rukiqi, në një konferencë për media pas aksionit të organeve të drejtësisë ku nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ndihmë në kryerje të kësaj vepre arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë e një afarist, ka thënë se LDK-ja vlerëson se “të gjitha faktet e publikuara deri tani, na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore, kemi përfshirje të niveleve më të larta politike të kësaj Qeverie, prandaj hetimi duhet të përfshijë këto nivele”.
“Kërkojmë arrestimin e Ministres Hajdari; pas zhvillimeve të sotme, dorëheqja nuk mjafton. I bëjmë thirrje pushtetit që të mos i pengoj hetimet. Me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç e kemi paralajmëruar, LDK do të kërkoj themelimin e Komisionit Hetimor për këtë aferë, për të adresuar qartë të gjithë përgjegjësinë politike të niveleve më të larta të pushtetit në këtë aferë milionëshe, me paratë tona”, ka thënë Rukiqi.
Sipas tij ky rast nuk është korruptiv. “Afera milionëshe me rezervat shtetërore. Të gjitha indikacionet janë që ky nuk është rast vetëm korruptiv. Të gjitha elementet që janë publikuar deri tani të qojnë deri te një rrjet i krimit të organizuar, me aprovimin dhe përfshirjen e niveleve më të larta politike. Ka vendim të Qeverisë të udhëhequr nga z. Kurti, që furnizimi me rezerva shtetërore të përjashtohet nga procedurat e rregullta të prokurimit”, ka deklaruar Rukiqi.
Ai ka thënë se i inkurajojnë organet e rendit dhe zbatimit të ligjit të vazhdojnë “punën e tyre profesionale dhe të pavarur në këtë rast dhe në të gjitha rastet tjera me elemente korruptive dhe kriminale”.
Sipas Rukiqir rasti i sotëm, “është pjesë e mozaikut të gjerë dhe të gjatë, të sistemit korruptiv dhe kriminal, të instaluar nga Lëvizja Vetëvendosje në të gjitha nivelet e qeverisjes”.
“E kemi theksuar dhe ritheksuar vazhdimisht, që ky pushtet ka treguar paaftësi të jashtëzakonshme në qeverisjen e vendit, por ka treguar zell dhe aftësi të jashtëzakonshme në kapjen e shtetit, dhe shtrirjen e aktivitetit kriminal dhe korruptiv në të gjitha nivelet”, ka theksuar Rukiqi.
Ai në këtë konferencë ka përmendur edhe rastin e asamblistit të Vetëvendosjes Bensik Mujeci i cili është arrestuar në Tiranë nën dyshimin për trafikim më narkotikë.
Gjithashtu ka folur edhe për rastin e kryeshefit të Pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasnqii e atë të ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj.