Arbëri

Haradinaj-Kurtit: Dorëheqje në veri, jo rrëzim me peticion

Ramush Haradinaj - kryetar i AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të ndërpresë procedurën për rrëzimin e kryetarëve në komunat në veri nëpërmjet peticionit, por të vazhdohet me strategjinë e dorëheqjes.

“Albin, ndërpreje procedurën e rrëzimit të kryetarëve në komunat veriore me peticion. Vazhdo me një strategji të re, me dorëheqjen e kryetarëve. Ashtu do të binden edhe aleatët se je për zgjidhje, e jo për kriza të reja në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj të enjten në mbrëmje.

Qeveria tashmë ka nisur procedurat për hartimin e një udhëzimi administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largim të komunave. Qeveria ka refuzuar idenë e dorëheqjes së kryetarëve në katër komunat në veri.

Katër kryetarët e komunave në veri, të zgjedhur në zgjedhjet e sivjetme, me të nisë ushtrimin e funksionit u përballën me protesta nga serbët lokalë që kundërshtuan hyrjen e tyre në objekte komunale, duke protestuar para objekteve. Protestat e dhunshme nxitën tensione, që më pas u pasuan me diskutime në dialog mes dy shteteve.

Me Bashkimin Evropian u arrit dakordimi për veprime nga ana e Qeverisë së Kosovës për shtensionim. Fillimisht është ulur numri i pranisë së policëve, ndërsa hap i ardhshëm është kërkuar të jetë shpallja e zgjedhjeve të reja.

Ndërkombëtarët kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për dërgimin e Policisë në objektet komunale dhe Kosova tashmë është nën sanksione nga BE-ja për shkak të ngjarjeve në veri.