Masat që Bashkimi Evropian ia ka vënë Kosovës kanë dëmtuar procesin e dialogut me Serbinë, ka thënë presidentja Vjosa Osmani. Ajo i quajti joproporcionale masat ndëshkuese, pasi theksoi se ato u vunë sikur Kosova ta kishte pushtuar ndokënd. Gjatë një vizite në Dragash presidentja foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja në komunat e veriut dhe iu përgjigjur pyetjeve për debatin e nxitur pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të martën se përgjigjja e Bashkimit Evropian (BE) me masa ndëshkuese ndaj Kosovës ka dëmtuar procesin e dialogut me Serbinë.
Gjatë qëndrimit në Komunën e Dragashit ajo ka theksuar se masat janë vendosur padrejtësisht, pas situatës në veri.
“Nuk është përgjigje që e nxit bashkëpunimin, është përgjigje që më së shumti i bën dëm procesit të dialogut, e qet atë në një rrafsh jashtë binarëve në të cilën do të duhej të ishte, ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë”, ka theksuar ajo.
Presidentja ka shtruar nevojën që BE-ja të lëvizë në drejtim të heqjes së masave të vendosura rreth dy muaj më parë.
“Presim që hapat t’i ndërmarrin partnerët tanë se masat e tyre kanë qenë komplet disproporcionale me çfarëdo pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me vendimet e Qeverisë së Kosovës, sepse në njëfarë mënyre... sikur Kosova ta ketë pushtuar dikë”, është deklaruar presidentja Osmani.
BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për ulje të tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj e qershor.
Atje protestat e serbëve lokalë dhe qytetarëve tjerë – që kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale – janë përshkallëzuar në dhunë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Osmani e ka fajësuar Serbinë për këto sulme.
“Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarë të NATO-s. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë, dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë për këtë agresion që e ka kryer në raport me Kosovën”, ka thënë ajo, duke përsëritur se masat i janë vënë padrejtësisht Kosovës.
Ajo kërkoi që ndërkombëtarët ta zhvendosin në Beograd presionin.
“Është esenciale që komuniteti ndërkombëtar të kërkojë nga Vuçiqi të ndërpresë ndikim negativ, frikësimin e qytetarëve, dhunën që përdoret nga strukturat ilegale ndaj qytetarëve në veri dhe t’i lejojë ata që të shfrytëzojnë, pa dhunë, të drejtat e tyre që garantohen edhe me kushtetutë, edhe me ligj”, ka thënë Osmani.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Deri më tani datë për mbajtje të zgjedhjeve në komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok – nuk ka, por Osmani ka thënë se beson që banorët e komunave në veri dëshirojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët. Nuk shoh vullnet nga ai që ta ndërpresë dhunën që nëpërmjet strukturave kriminale vazhdimisht e ushtrojnë ndaj qytetarëve tanë në veri. Prandaj presioni duhet të jetë në Beograd”, ka theksuar presidentja.
Më 7 gusht dhjetëra deputetë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë nisur një letër kryediplomatëve të vendeve të tyre, me kërkesë që të ndryshohet qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.
Në letër deputetët e kanë përmendur edhe zbatimin e një diplomacie parandaluese.
Zyrtarë perëndimorë kanë thënë se tensionet e fundit i kanë vënë në pah mangësitë në qasjen e tyre në raportet Kosovë-Serbi dhe mundësinë për rishqyrtim të situatës.
Mes tjerash, në letër, ata kanë thënë se “Kosova është shtet sovran dhe demokraci që funksionon”, prandaj kanë kërkuar balancë dhe sjellje proporcionale, kur bëhet fjalë për këto dy vende.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.