Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka dorëzuar në Këshillin e Qytetit nismën për ta ndërruar emrin e rrugës “Adem Demaçi” duke kërkuar kthimin e emrit të vjetër “Brigada e Dytë Maqedonase”.
“U bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të qytetit të Shkupit të votojnë për këtë propozim, përmes të cilit do të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjve, pjesëtarë të brigadës së dytë maqedonase që kanë dhënë jetën për Maqedoninë”, thuhet në arsyetimin e Arsovskas.
Kryetarja e Shkupit apeloi që kjo nismë të mos politizohet dhe të mos keqpërdoret për rritjen e tensioneve ndëretnike.
Ajo i ka propozuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që në Prishtinë të emërtojë një rrugë me emrin e revolucionarit maqedonas Todor Aleksandrov, i cili, sipas saj, ka bashkëpunuar me Hasan Prishtinën, Hasan Bejtën dhe Bajram Currin në luftën kundër okupimit të mbretërisë jugosllave.
Të premten e kaluar kryeministri Albin Kurti mori pjesë në përurimin e kësaj rruge në Çair. Ai tha së emërtimi i një rruge me emrin e Adem Demaçit në Komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut ka një rëndësi të veçantë. Por, pjesëmarrja e Kurtit në këtë përurim pati reagime të shumta.