Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banka Botërore konstaton favorizimin e një kompanie në tenderin e IKSHPK-së

IKSHPK

Në kurdisje të tenderit është përfshirë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thuhet në ekspertizën që ka bërë Banka Botërore. Bazuar në këtë ekspertizë, ku thuhet se IKSHP-ja favorizoi një kompani duke vendosur specifika që i plotësonte vetëm një kompani, tenderi është anuluar ditë më parë

Shkelje të rënda dyshohet se ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës në lidhje me një tender.

Pajisjet e planifikuara për laboratorët mikrobiologjikë në IKSHPK dyshohet se ky institucion ka tentuar t’i blejë përmes përshtatjes së kushteve të tenderit në favor të një kompanie farmaceutike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përshtatja e tenderëve është konfirmuar nga një ekspertizë e Bankës Botërore. Pas analizimit të lotit 2 të këtij tenderi është thënë se aty ka përshtatje të kushteve.

Tenderi ishte hapur në marsin e këtij viti, e vendimi për anulimin e tenderit është marrë ditë me parë.

Në vendimin për anulimin e tenderit thuhet saktësisht se pati keqpërdorim me vendosjen e kritereve.

“Anulimi i dhënies së kontratës për LOT 2 bëhet me kërkesën e sekretarit të përgjithshëm me nr. protokolli 05-4516 të datës 24.7.2023, me të cilën ZKA-ja e ka njoftuar ZPP të Divizionit të Prokurimit. Andaj nga ana juaj kërkoj që të procedoni në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik në anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit”, thuhet në vendimin për anulimin e tenderit.

Në vazhdim të vendimit thuhet që anulimi është i mbështetur në ekspertizën e Bankës Botërore.

Bazuar në opinionin e KRPP-së, ZKA ka kërkuar ekspertizë nga njësia e Bankës Botërore, me çka bazuar në opinionin e tyre është arritur në përfundimin e këtij aktiviteti.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja në përgjigjet me shkrim kanë folur në përgjithësi për rastet e tilla.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë se nuk mund të flasin për këtë çështje në detaje, për shkak se sipas tyre ky është aktivitet i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Aktiviteti i prokurimit, të cilit i referoheni, është zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë. Ekspertët nga IKSHPK-ja kanë përgatitur specifikat teknike, bazuar në të dhënat aktuale që janë në dispozicion për pajisjet laboratorike përkatëse. Sa i përket vlerësimit, ne nuk jemi institucioni kompetent për të vlerësuar një procedurë që është zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e IKSHP-së.

E Ministria e Shëndetësisë ka thënë së është herët të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm për këtë çështje.