Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në tri komunat në Luginë pritet të fillojë bashkimi i shkollave. E për përzgjedhjen e institucioneve arsimore, kriter do të jetë infrastruktura e objekteve. Serbia ka investuar rreth 5,3 milionë euro në shkollat serbe, por jo edhe në ato shqipe. Në shkollat ku vijojnë mësimin nxënësit shqiptarë, pavarësisht gjendjes së rëndë, shteti serb nuk financon rikonstruktimet e objekteve.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, tha se për këtë gjendje do t’i drejtohet me letër edhe kryeministrit Albin Kurti.
Ai në intervistë për KosovaPress tha se kanë mirëpritur ndarjen e 254 mijë eurove për Luginën e Preshevës për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2023-2024.
Lutfiu shton se në dy vitet e kaluara, nuk kanë pasur pengesa në realizimin e atij projekti.
“Janë diku rreth katër mijë nxënës prej klasës së parë deri në klasën e tetë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë që pritet të jenë përfitues të këtyre librave. Librat vijnë nga Shqipëria, lejet e përdorimit janë siguruar me marrëveshjen të cilën ka ndodhur mes Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë”, shton ai.
Megjithatë, ka tekste që nuk lejohen nga Serbia për furnizim të nxënësve shqiptarë.
“Bëhet fjalë për librat që Ministria e Arsimit e ka dhënë lejen e përdorimit. Libra e historisë, muzikës që nuk e kanë marrë lejen e përdorimit, pra ato libra që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar ato normalisht që nuk përfshihen në këtë set dhe kjo fatkeqësisht shpresojmë që në të ardhmen të zgjidhet çështja edhe e këtyre librave”, shprehet Lutfiu.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar theksoi për KosovaPress se për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në Serbi pritet bashkimi i shkollave.
“Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, shumë shpejt në Serbi mund të fillojë që të bëhet bashkimi i shkollave. Kriter për përzgjedhjen e shkollave mund të jetë infrastruktura e shkollave. Në këtë rast, shkollat serbe në Komunën e Bujanocit konkretisht gjendjen e kanë shumë më të mirë se sa shkollat shqipe. Prandaj investimet e fundit që kanë ndodhur, 5,3 milionë ka investuar në shkollën fillore në Bujanoc, në shkollën e mesme në Bujanoc, ka ndërtuar një sallë sporti në një fshat serb edhe ka ndërtuar një terren sportiv në një shkollë serbe. Ndërkohë, investimet në shkollat shqipe janë zero. Konkretisht shkolla fillore e fshatit Lluqan, e cila është në gjendje jashtëzakonisht të vështirë, në kohën kur bie shi nxënësit e ndërpresin mësimin. Aktualisht ajo shkollë nuk është pranuar, ai projekt dokumentacion për renovimin e asaj shkolle nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu nuk është pranuar të rinovohet as shkolla fillore e fshatit Bilaç në Bujanoc”, deklaroi Lutfiu.
Lutfiu shtoi se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që nga fondi për Luginën, mjetet të shfrytëzohen për renovimin e shkollave./ KP