Arbëri

Krasniqi: Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri vlen për të gjitha komunat

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ka shumë hapësirë për korrigjimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ai ka theksuar se për shkak të mosplotësimit të kushteve për votim për ndryshimin e këtij ligji, ministria ka gjetur udhëzime administrative që mund t’i fusë në funksion.

Ai ka shtuar se grupi punues i themeluar duhet që deri më 1 shtator ta bëjë draftin e udhëzimit administrativ që do të rregullojë procedurat se si organizohet një peticion në komuna ku ka kërkesë nga qytetarët për largimin e kryetarëve.

“Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe ka shumë hapësirë që të korrigjohet ky ligj të plotësohet, ndryshohet dhe të ketë më shumë mundësi funksionimi të qeverisjes lokale dhe raporti i qeverisjes lokale me qeverisjen qendrore. Ju e dini që kemi iniciuar plotësimin e ligjit ne i kemi bërë disa propozim ndryshime, i kemi prezantuar mirëpo nuk është vendosur në votim, ngase duhen 2/3 e votave edhe të komuniteteve. Kjo na ka vu para situatës ku ne duhet të shohim nga kjo bazë e ligjit për vetëqeverisje lokale të shohim se cilat janë ato udhëzime administrative qe si ministri kemi kompetencë që t’i zhvillojmë dhe mandej të sqarojmë pozita të ndryshme në këtë ligj. Së fundi kemi filluar edhe udhëzimin administrative mbi procedura si organizohet një peticion në komuna ku ka kërkesë nga qytetarët për largimin e kryetarëve. Kjo buron nga ligji për vetëqeverisje lokale neni 72, dhe tani kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale dhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre”, ka thënë ministri.

Krasniqi ka deklaruar se udhëzimi administrativ - që duhet të funksionojë si referim për qytetarët që përmes peticionit duan ta largojnë një kryetar komune - nuk është udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, por për të gjitha komunat.

“Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave unë besoj që kryetarët kanë fituar një mandat. Largimi i tyre nga zyrat e kryetarit është e përcaktuar me ligj dhe dorëheqja e secilit kryetar të komunës nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër ose nga asnjë autoritet tjetër për shkak se mandati është personal dhe kryetari e ka fitu atë mandat”.

Ministri ka thënë se kërkesa për largimin e kryetarëve të veriut është kërkesë e Serbisë. Ndërkaq, për Listën Serbe ka theksuar se nuk vepron asnjëherë në të mirë të Kosovës.

“Kërkesa për largimin e kryetarëve apo për dorëheqjen e kryetarëve është kërkesë e Serbisë dhe nuk dëshiroj të komentoj ma shumë. Unë nuk mund të flas për Listën Serbe, por çka mund të them për situatën aktuale çka do që ata veprojnë e mendojnë asnjëherë nuk është në të mirën e Republikës së Kosovës dhe institucionet demokratike të Republikës së Kosovës”.

E, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, nuk është pajtuar me ministrin Krasniqi. Ai ka thënë se peticioni nuk është adekuat për zgjidhjen e problemeve politike.

“Është e vërtetë se duhet të krijohet një zgjidhje atje, duhet të gjendet një rrugë që të dilet nga kjo situatë. Po e kundërshtoj ministrin.. nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidh problemet politike. Sepse kjo mund të riciklohet, pas tre muaj të mbahen zgjedhjet, prapë edhe një peticion tjetër… Është e vërtetë që ka mangësi.. Çështja e veriut është politike, nuk është çështje legjislative, duhet të gjendet një zgjidhje e që mendoj që është në përgjegjësinë e qeverisë dhe ministrisë”, ka përfunduar Ahmeti.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri. BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.