Arbëri

Mot me diell dhe vranësira të hënën në Kosovë

Moti në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të hënën do të mbajë mot me diell dhe me vranësira, që do të lëvizin në pjesën e parë të ditës. Vende-vende, sipas IHMK-së, vranësirat mund të sjellin reshje afatshkurta.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24-28 gradë.

Instituti ka njoftuar se kjo javë do të jetë kryesisht e nxehtë, por po përmbyllet një muaj me temperatura mesatare maksimale ekstrem të larta dhe llogaritet që ky korrik të jetë muaji më i nxehti prej se kur kanë filluar matjet profesionale meteorologjike (1854 Angli në laboratorin KJU).

Për shkak të temperaturave të larta edhe indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj apelohet respektimi i këshillave të IKSHP, ndërsa IHMK bënë thirrje qytetareve që mos të ndezin zjarre, sepse përpos dëmeve në fushën e bujqësisë dhe pasojave tjera, zjarret janë edhe burime të rrezikut të pronave tona, shëndetit dhe njerëzve në veçanti.

Sipas Institutit, ndryshimet klimatike po ndodhin më shpejt se sa parashikimet e shkencëtarëve të agjencive të fuqishme meteorologjike dhe tani nevoja për të reduktuar emetimet e gazrave serrë është më urgjente se kurrë më parë.

“Ky muaj me këto temperatura ekstreme nuk ka përfshirë vetëm Evropën por tri kontinente (Amerikën e Veriut, Azinë dhe Evropën). Temperatura mesatare në nivel global ishte 16.63 në vitin 2019, derisa ajo tani ka arritur në 17.08 gradë Celsius, që konsiderohet rritje rekorde”, thuhet në njoftim.