Arbëri

BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

Kosova - Bashkimi Evropian

Foto: Ilustrim

Bashkimi Evropian pret zgjedhje sa më të shpejta në veri të Kosovës. Për këtë, rrugën më të shpejtë e sheh nëpërmjet dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënëse e BE-së të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian pret që “palët të zbatojnë kërkesat e BE-së siç është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare më 3 qershor 2023”. “Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e hershme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat me shumicë serbe në veri”, thuhet në përgjigje.

Të pyetur se si është forma që BE-ja përkrah shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundshme, BE-ja ka kujtuar se “dorëheqja e kryetarëve është rruga më e shpejt për të nxitur zgjedhje të parakohshme”, ndërsa ka kërkuar që “palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka thënë se dorëheqja është akt moral, e se qytetarët si zgjidhje e kanë nisjen e një peticioni që kërkon dorëheqjen e kryetarëve.

BE-ja e ka cilësuar të paqëndrueshme status-quonë në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotit të zgjedhjeve në veri nga serbët.

“Vazhdimi i protestave kundër kryetarëve të rinj, pa u nisur zgjedhjet e reja lokale në katër komunat, qoftë me dorëheqje apo peticione për dorëheqje, nuk është rruga përpara. BE-ja pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe fer dhe që serbët e Kosovës të tregojnë angazhim konstruktiv në procesin zgjedhor, dhe të angazhohen për të marrë pjesë në to. Kjo do të ishte shenjë e qartë e synimit të serbëve të Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, duhet t’i paraprijë heqja e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, është i logjikshëm një veprim i tillë, pas dakordimit të arritur në Bratisllavë.

Pas zgjedhjeve të parakohshme në veri, të cilat u bojkotuan nga serbët por u mbështetën ndërkombëtarisht, komuniteti ndërkombëtar bëri përgjegjëse Kosovën për tensionet, pasi me asistencë të Policisë u siguroi kryetarëve të zgjedhur qasje në ndërtesa komunale.

Serbët kundërshtuan, dhe turma të tyre sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, ata të Policisë si dhe ekipet shqiptare të mediave.

BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan që Kosova të tërheq pa vonesë policët nga dhe përreth objekteve komunale e edhe që kryetarët e rinj ta ushtrojnë mandatin jashtë ndërtesave komunale. Masa të karakterit politik e ekonomik u vendosën, si ndëshkim pas refuzimit të Qeverisë për t’iu bindur këtyre kërkesave.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se, konform deklaratës së 3 qershorit, janë përmbushur të gjithë hapat. Ata përfshijnë reduktimin për 25 për qind të policëve në dhe përreth objekteve komunale, vlerësimin e situatës së sigurisë në veri bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in, si dhe deklarimin pro organizimit të zgjedhjeve në veri, pas verës.

Duke folur për procedurat që duhet të ndiqen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, kryeministri Kurti ka thënë pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën se do të jetë përvojë e re për institucionet, andaj duhet përgatitur mirë.

“Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për neve, të jetë aq i sigurt saqë i pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik. Nuk e di sa kohë merr por si vullnet politik nga Qeveria e Republikës së Kosovës jam i interesuar sa më parë e sa më shpejt”, ka deklaruar ai.

Komuna e Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut, që nga maji janë duke u drejtuar nga kryetarë shqiptarë e boshnjak. Ai i Leposaviqit dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, e të cilët i takojnë Vetëvendosjes, janë duke e ushtruar detyrën në zyrat komunale, përkundër protestave të vazhdueshëm të serbëve.

Ndërkaq, kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut, e që i takojnë Partisë Demokratike në opozitë, mandatin janë duke e ushtruar nga ndërtesa alternative.

Pas protestave të dhunshme në veri, një numër serbësh janë arrestuar. Por, prej kur Kosova dhe BE-ja janë dakorduar për hapat fillestarë drejt depërshkallëzimit të situatës, gjykatat kanë lënë të lirë disa prej të arrestuarve.