Në orët e para të mëngjesit të së shtunës i është vënë zjarri veturës që shfrytëzohej nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Artan Grubi. Vetë Grubi ka ndërlidhur veprën me punën e tij, ndërsa e ka quajtur aktin “qyqar e tinëzar”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë është bërë e ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Strumiçka” të Shkupit rreth orës 03:30. Zjarri është shuar. Nuk ka të lënduar, kanë bërë të ditur autoritetet.
Vetura nuk ka qenë e regjistruar në emër të Grubit, që në një reagim në Facebook ka thënë se “nuk do të zmbrapset nga puna”.
“I kërkoj ndjesë të gjithë fqinjëve të mi në lagjen tonë për shqetësimin e madh që e përjetuan mbrëmë para ndërtesës ku jetoj, për arsye të profesionit tim. I kërkoj ndjesë edhe shokut tim dhe familjes së tij për dëmin e shkaktuar vetëm për arsye të profesionit tim. Në politikë jam për të shërbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjët dhe shoqëria. Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinëzare, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zmbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve. Ju kërkoj falje që shqetësimet e mija dhe të familjes sime u shndërruan në shqetësime edhe të fqinjëve dhe shoqërisë. Shpreh mirënjohje për të gjithë fqinjët e mi si dhe për forcat e sigurisë dhe përpjekjet e tyre për ta zbardhur sulmin e mbrëmshëm”, ka shkruar ai.
Për rastin kanë reaguar edhe liderë politikë në Maqedoni. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, teksa e ka quajtur fyerje të vlerave demokratike, ka kërkuar zbardhjen e së vërtetës.