Arbëri

Kurti refuzon sërish Ramën, kritikohet në Kosovë e Shqipëri

Reagime të shumta ka nxitur refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për të marrë pjesë në takimin joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Mospjesëmarrjen në këtë takim, që është përgatitor për Samitin e Procesit të Berlinit, Kurti e ka arsyetuar me një diskutim në Greqi

Brenda pak më shumë se një muaji, tri kërkesa për takim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama janë refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pas ftesave për takime, me t’u anuluar mbledhja e dy qeverive dhe gjatë qëndrimit të Ramës në Kosovë, Kurti nuk e ka pranuar as atë për të marrë pjesë në drekën joformale të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me komisionarin e BE-së, Oliver Varhelyi.

Mospjesëmarrjen në takimin e së hënës në Tiranë, Kurti e ka arsyetuar me udhëtimin për në Kretë të Greqisë, ku do të marrë pjesë në një simpozium.

Refuzimi i Kurti është kritikuar nga shoqëria civile dhe partitë opozitare.

Analisti Artan Muhaxheri thotë se rëndësia e takimeve në Tiranë e Kretë janë të pakrahasueshme.

“...kjo është edhe një sinjal tejet negativ për qeverinë e Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë pasi është shumë gabim që ky takim të identifikohet vetëm me kryeministrin Rama pasi ky është takim i BE-së dhe në përgjithësi i bënë dëm mospjesëmarrja e Kosovës në të”, ka thënë ai.

E në Shqipëri thonë se nga ndasitë mes dy kryeministrave më së shumti po pëson Kosova.

“Z. Kurti dhe z. Rama mund të mos kenë hiq marrëdhënie personale por për hir të interesit të Kosovës, të Shqiptarisë dhe Shqipërisë vet, patjetër që duhet të ulen, të komunikojnë, të bisedojnë”, ka deklaruar Edvin Kulluri, analist në Shqipëri.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se sjellja e kryeministrit Kurti është fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme.

“Fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme sjellja e Kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, ka thënë ajo.

E Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së, e ka quajtur inatçore dhe jo shtetformuese, qasjen e kryeministrit Kurti.

“Mosshkuarja e kryeministrit të Kosovës në një takim joformal i ftuar nga kryeministri i Shqipërisë tregon logjikën e mbrapsht, logjikën inatçore, logjikën autoritare të një njeriu që e udhëheqë Kosovën”, ka thënë Tahiri.

Samiti i Procesit të Berlinit, në kuadër të së cilit është edhe takimi i sotshëm joformal, do mbahet më 16 tetor në Tiranë.