Arbëri

Qeverisë i kërkohet dialog me opozitën

Foto: Alban Bujari / KOHA
 

Përleshja fizike mes deputetëve të opozitës e anëtarëve të Qeverisë po vlerësohet nga njohësit e çështjeve politike se do ta përkeqësojë edhe më tej funksionimin e punës së Kuvendi. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta nisë angazhimin për “pajtim e koordinim” me opozitën, në mënyrë që të mos ngecë puna e legjislativit.

Rrahja e së enjtes në Kuvend mes anëtarëve të kabinetit qeveritar e deputetëve të pushtetit me ata të opozitës do t’i thellojë ndasitë e do të lërë pasoja serioze në funksionimin e Kuvendit, thonë njohësit e çështjeve politike.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se prishja e raporteve deri në këtë masë do ta lërë peng agjendën legjislative, veçmas marrëveshjet ndërkombëtare me vlera të larta financiare.