Arbëri

Kurti thotë se ka trefishim të numrit të veteranëve: Mos ta deformojmë luftën çlirimtare

Kryeministri, Albin Kurti është i bindur se në luftën çlirimtare kanë qenë pjesëmarrës më shumë se 60 mijë persona. Mirëpo ai ka thënë se ka trefishim të numrit të veteranëve pasi në emrin e tyre janë futur edhe pjesëmarrësit në luftë.

“Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë ma shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve, andaj është e domosdoshme që gjërat t’i quaj me emra adekuat. Veteranët sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, atëherë nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit atëherë bëhen edhe me shumë se 60 mijë. Unë jam që të kemi falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë, por nuk mund ta deformojmë luftën çlirimtare”, tha ai, raportoi EkonomiaOnline.

Kurti shtoi se nuk mund të dëmtohen veteranët duke i bërë edhe pjesëmarrësit pjesë të kësaj kategorie. Këto komente ai i bëri pasi u pyet për miratimin e pagës minimale ku nuk u përfshinë veteranët, për çka pati edhe një sqarim.

“Ligji i cili kalojë së fundi në Kuvendin e Kosovës e rregullon pagën minimale. Ne jemi për benefite sa më të larta për veteranët, por këto benfite nuk janë pagë sepse paga është për punë. Pra benefitet janë mirënjohje e shoqërisë që i jepen veteranit të luftës”.

“Për këtë ajo çka i duhet Qeverisë edhe Kuvendit është dosja që ndodhet në Prokurori në mënyrë që ta kthejmë në të vërtetën faktike numrin e veteranëve. Paga minimale nuk është benefit për pjesëmarrjen në luftë, unë do të dëshiroja që kur të merremi vesh me organizatat e dala nga lufta që të krijojmë mundësi që veteranët të punojnë, ngase një numër i madh nuk janë për pensionim sepse janë të rinj, shumë prej tyre nuk i kanë as 50 vjet. Ne jemi përjetësisht e pafundësitë për kontributin e pamatshëm, shprehim respektin për të gjithë. Bashkë mund ta zgjidhim këtë, nuk kemi nevojë që për mbështetje financiare ta deformojmë të vërtetën tonë, kategorizimi i saktë është shumë i rëndësishme”.