As Partia Demokratike e as Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë përgjegjësinë për dhunën që u shfaq sot në Kuvendin e Kosovës. Përfaqësues të dy partive ia lanë fajin njëra-tjetrës për provokimin që nxiti rrahjen
Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë akuzuar njëra-tjetrën për provokimin që në fund përshkallëzoi në dhunë të paparë deri më tash në Kuvend.
Në reagimet e tyre, pas pjesës së parë të seancës së Kuvendit, nga PDK-ja thanë se janë provokuar nga ministrat e deputetët e Vetëvendosjes.
“Aksionet tona nuk ishin provokime për shtetin e Kosovës, demokracinë, por për ata që kanë lidhje me Serbinë dhe Radojçiqin. Nuk ishte vetëm një shishe, ishte sulm i koordinuar. Ata kanë qenë të gatshëm të veprojnë në çdo formë dhe të na nënçmojnë si aksion politik. Nuk ka logjikë të sulmohet nga një zv.kryeministër aksioni politik, ata duhet të reagojnë në foltore”, ka thënë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Por vendosjen e pankartës me mbishkrimin “Zdravo”, që në shqip i bie “përshëndetje” e konsideruan provokim nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Provokime ka pasë prej fillimit të seancës. Shembull, vendosja e fotografisë. Ne kemi gjuajtur edhe me vezë në të kaluarën edhe me sprej, por po flasim për provokimet”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Visar Korenica.
E përmes një reagimi pak më vonë, nga kjo parti thanë se “PDK-ja si një bandë rrugaçësh” sulmoi kryeministrin dhe ministrat e Kosovës.
“Ky sulm po bëhet ndaj Qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë. Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, thuhet në reagim të VV-së.
Skenat që shoqëruan seancën, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se nuk e kanë vendin në Kuvend. Përmes një reagimi ata thanë se e enjtja ishte një tjetër ditë e rëndë për historinë parlamentare.
“Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj. LDK do të vazhdojë, si gjithherë, të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashtë saj”, thuhet në reagim të LDK-së.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është përfshirë në përleshje, tha se sulmet ndaj tyre kanë ardhur pas rezultateve që tha se kanë shënuar si Qeveri.
“Rrugët alternative të krimit dhe kontrabandës u ndërprenë nga Policia e Kosovës. Baza të shumta të policisë u krijuan atje, me qëllim të vënies së rendit ligjor në atë pjesë. Dhuna ndaj ministrave vjen si pakënaqësi e këtij rezultati, ku edhe biznesmenët e bashkëpunëtorët e tyre po pësojnë dukshëm. Grushtet e atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit tentojnë të godasin Qeverinë, e cila po i dobëson seçherë e më shume banditët e tillë. Policia po arreston edhe ata që kanë ndihmuar grupet banditeske, por sjellja e disa deputetëve të PDK-së tregon se kjo sikur po iu pengon”, u shpreh ajo.
Reagime ka pasur edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit e nga zyrtarë qeveritar.