Arbëri

Dënohet ashpër përleshja fizike mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar në Kuvend

Reagime të shumta ka nxitur dhuna e ushtruar në Kuvendin e Kosovës. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dënuar përdorimin e forcës fizike duke thënë se dhuna nuk mund të përdoret si mjet politik. Sulmi dhe përleshja fizike e ndodhur në Kuvend janë dënuar edhe në Shqipëri. Kryeministri Rama e ka quajtur turp veprimin e deputetëve të opozitës duke thënë se veprime të tilla dëmtojnë vendin edhe në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Vjosa Osmani ka dënuar dhunën e ushtruar në Kuvend nga deputetët dhe kabineti qeveritar.

Osmani ka thënë se dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik dhe nuk ka vend në Parlament.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, ka thënë Osmani.

Përleshjen e së enjtes në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur turp kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka kërkuar nga opozita të distancohen nga ky akt, e ka thënë se ndodhi të tilla dëmtojnë Kosovën edhe ndërkombëtarisht.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë sesa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, ka deklaruar Rama.

Instituti Demokratik i Kosovës i ka quajtur të papranueshme përplasjet në Kuvendin e Kosovës.

“Një Kuvend, puna parlamentare e të cilit është mbushur me fyerje e ofendime, pa debate përmbajtjesore, kulmoi sot në skena të shëmtuara të konfrontimeve fizike. Imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare, të cilës të gjithë aktorët politik parlamentar, pa dallim, duhet të mos i kontribuojnë. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të distancohen nga kjo klimë dhune që prodhoi skena të papranueshme brenda Kuvendit”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Dhuna që ndodhi në Kuvend e Kosovës është pasqyruar në pothuajse edhe në të gjitha media ndërkombëtarë.