Në fjalën e parë pas rrahjes fizike në Kuvend, kryeparlamentari Glauk Konjufca, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë, me qëllim të uljes së tensioneve.
Konjufca kërkoi nga deputetët në Kuvend që me mirëkuptim të tejkalohen problemet dhe të vazhdohet me pyetje parlamentare në seancë. Ai tha se këtë e presin qytetarët, ndërsa për veprimet e sotme në Kuvend “duhet të merren organet kushtetuese”.
“Ne i kemi papajtueshmëritë më të thella ndonjëherë, por ato mospajtime i bëjnë nder Kosovës nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm të institucioneve tona demokratike, që monitorohen...Deri tash ia kemi arritur me sukses...Përpiqemi ta kalojmë këtë ditë të vështirë dhe këto ditë të vështira për vendin tonë. Po ju thërras për një minimum të një sjelljeje që do t’i gëzonte qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Konjufcës, posti i deputetit është fisnik, ndërsa shtoi që pret nga deputetët të hapin një kapitull të ri, pas veprimeve të sotme.
“A është për deputetin si posti më fisnik në vendin tonë e denjë një sjellje e tillë. Në shpirtin e secilit e ndjej se po mendoni kështu. Bisedova edhe me kryeministrin, ai po heq dorë nga fjala e tij e nëse ne kemi mirëkuptim për të vazhduar me një pikë tjetër, e tejkalojmë atë pjesën tjetër dhe vazhdojmë të pyetjet parlamentare. Këtë mendoj se e presin qytetarët prej nesh, e për të tjerat duhet të merren organet kushtetuese. Ju lus për këtë kapitull të ri që duhet të hapet. Pas këtyre veprimeve uroj të mos përsëriten më. Nëse e kam këtë mirëkuptim mirë, nëse jo, do të ishte ogur i zi për Kosovën, i cili mendoj se na çon në faza krejt të paparashikueshme, edhe për Kosovën edhe për qytetarët”, tha Konjufca.
Kryetari i Kuvendit kërkoi që të mos ndodhin veprime “për diçka që nuk do ta donim ta shihnim vendin tonë në atë gjendje”.
LDK-ja kërkon ndërprerjen e seancës
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se situata degradoi kur ministrat e sulmuan opozitën.
Sipas tij, ministrat në vazhdimësi i kanë ofenduar e janë sjell keq me deputetët.
Ka shtuar se është mirë që seanca të thirret nesër apo ndonjë ditë tjetër, në mënyrë që sipas tij të ulen gjakrat.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se kjo çka ndodhi sot në seancën e Kuvendit nuk është e hijshme.
Kjo sipas tij, është një lloj metode që e ka aplikuar Vetëvendosja sa ishte në opozitë.
“Kjo situatë ka qenë e pashmangshme sepse këtu sot janë përballur dy ide të vjetra. Kjo ka qenë e pashmangshme dhe do të ketë konflikt gjithherë këtu. Nuk mund të kalojë kjo situatë kryetar hajde flasim tash për ligje. Kjo duhet me u diskutu me kokë të ftohtë. Duhet të flitet këtu. Duhet të gjejmë një mirëkuptim për të vazhduar”, ka thënë ai.
Hoxha – pushtetit: Kolegët tanë u mbrojtën nga kolegët tuaj
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se nuk mund të anashkalohet çështja e bisedës telefonike të shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Listën Serbe.
Ajo ka thënë se deri te rrahja mes deputetëve dhe akterëve të Qeverisë erdhi pas nxitjes nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Ne adresuam një çështje shumë të rëndësishëm dhe nëse për ju është e parëndësishme është çështja e diskutimeve me njeriun që ka fletëarrest, me Radojçiqin dhe dëshironi ta normalizoni duke prodhuar skandal, për mua është e pafalshme. Sot nuk u gjuajt asgjë nga ana e opozitës, sot u provokua me mjete demokratike performative një akt dhe një qëndrim i një grupi opozitar, apo u flladitë në këtë temë kryeministri dhe zv.kryeministri. Nxitja erdhi nga zv.kryeministri”.
Hoxha ka theksuar se deputetët e PDK-së u mbrojtën nga ata të VV-së.
“Kolegët tanë u mbrojtën këtu nga kolegët tuaj. Kjo Qeveri nga këto foltore këtu ka thirrë që deputetëve duhet t’u ndalet fjala me ligj, në shtëpinë e fjalës së lirë ministrja e Drejtësisë e ka kërkuar një gjë të tillë”.
Ajo ka shtuar se nuk mund të normalizohet rrahja që ndodhi të enjten në Kuvend.
“Sot zv.kryeministri e goditi me shishe uji deputetin i cili nuk u mor me të, nuk i bëri asgjë. Nëse doni me normalizu situatën që e keni krijuar, ajo është çështje tjetër”.
Hoxha ia ka adresuar dy pyetje Qeverisë dhe partisë në pushtet.
"Kam dy pyetje, për kryeministrin: A të përfaqëson zonja Kusari në diskutimin e saj me Radojçiqin, dhe juve deputetë të pozitës a ju përfaqëson Kusari me atë çka flet me Radojçiqin dhe me Simiqin?”