Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rrahjes që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të kësaj partie e kabinetit qeveritar. Ajo ia ka lënë fajin zëvendëkryeministrit Besnik Bislimit se e nisi përleshjen.
PDK-ja ka thënë se pushteti e provokoi duke ia hequr një fotografi nga foltorja ku e kishte vënë. Ka shtuar se ngjarja ka nisur me Bislimin që e ka goditur deputetin Mërgim Lushtaku.
“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore. Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”.
Ndërsa, ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, për mosreagim.
“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, ka thënë PDK.
PDK-ja ka deklaruar tutje se Qeveria po tenton ta fshehë koordinimin me Milan Radojçiqin, se po bashkëpunon me kriminelë serbë në dëm të interesit të shtetit.
“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti”.
Ndërkaq, ka përfunduar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Më pas ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ai tha se grushtet e pushtetit ndaj deputetëve “janë akti i fundit para kapitullimit”.
“Grushtet e pushtetit ndaj deputeteve, janë akti i fundit para kapitullimit. Pra, tash është e qartë se pushtetit të koordinuar mes Kurtit e Radojçiqit po i shihet fundi”, shkroi Tahiri në Facebook.