Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se sfida kryesore për Kosovën aktualisht është komunikimi me serbët e veriut që e njohin shtetin.
Ajo ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se sfiduese është krijimi i sigurisë në pjesën veriore për serbët që e pranojnë Kosovën dhe që s’kanë qenë të lidhur me organizata kriminale.
“Nuk është diçka e jashtëzakonshme si po tentohet të prezantohet nga Serbia. Ka të bëjë me natyrën e krimeve që nuk janë trajtuar për vite atje. Pjesa më delikate në këtë diskutim është raporti me komunitetin serb. Sfida kryesore pra është komunikimi dhe krijimi i sigurisë për ata që s’janë të lidhur me organizata, që e duan Kosovën si shtëpinë e tyre dhe duan të jetojnë, dhe e shohin të ardhmen këtu. Edhe për shkak të një veprimi që unë e potencoj që ka ndodhur krijimi i përshtypjes që veriu do t’i kalojë Serbisë”, ka thënë ajo.
Sipas shefes së GP të VV-së, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, ndaj institucioneve, gazetarëve dhe ndaj KFOR-it në veri javëve të fundit, nuk kanë pasur reagimin e njëllojtë të Bashkimit Evropian, si ndaj deklarimeve të Qeverisë Kurti për situatën në veri.
“...Nuk e patën reagimin e njëjtë të Bashkimit Evropian, sikur po e kanë në secilin veprim të Qeverisë Kurti, që e ka qëllimin krejt të kundërt nga ato veprime. Këto të Qeverisë janë bërë për shtrirje të ligjshmërisë e të rendit...Pjesëtarët e këtyre organizatave janë arrestuar si prishës të rendit dhe sulmues në të gjitha ngjarjet. Ata do të trajtohen sipas ligjeve”, ka shtuar ajo.