Qeveria u koordinua me partnerët për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, thotë Sveçla (Lexo më poshtë)
Qeveria e Kosovës i ka shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që veprojnë në veri të vendit.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e së enjtes ka theksuar se këto organizata paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenta e saj ‘Brigada e Veriut’ paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai ka lexuar disa nga arsyet se pse këto organizata duhet të shpallen terroriste.
“Duke u nisur që kërcënimi ndaj rendit kushtetues e juridik është i pakompromis, e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, sulmeve ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politikë, thirrjeve për rezistencë dhe mosbindje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, edhe përmes zjarrëvënies së pronës publike e private, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta, barrikada dhe forma të tjera të rezistencës, organizimi dhe pengimi i zbatimit të vendimeve të institucioneve të vendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanosja dhe frikësimi i qytetarëve në veri të vendit, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor dhe parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës”, është shprehur Kurti.
Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke punuar për t’i identifikuar dhe reaguar kundër kërcënimeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Ai ka thënë se në këtë drejtim, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbetet një ndër shqetësimet kryesore që e kanë kërcënuar Kosovën.
“Në kuadër të mandateve përkatëse, institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe ndër vite janë toleruar. Për më shumë se 2 vjet, vendimet tona të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme. MPB-ja është angazhuar në identifikimin e këtyre personave që kanë shkaktuar vepra penale”, ka thënë ai.
Ka thënë se vendosja para drejtësisë të këtyre grupeve është sigurim i qetësisë e sigurisë për grupet që janë kërcënuar deri tash.
Ka deklaruar se nga ky vendim nuk vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë amnistuar më herët.
Ky propozim i Qeverisë u kundërshtua nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Rashiqi kërkoi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos “merren vendime të ngutshme”. Ai ishte vota e vetme kundër.
“Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju jeni punëtor. Ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim, sepse frikësohem se do të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë në veri. Qasja e tillë do të na largoj shumë”, tha Rashiq.
E Sveçla iu përgjigj se shpallja e këtyre organizatave si terroriste është kruciale për qytetarët.
“Janë pikërisht këto dy entitete që përmes dhunës e shantazheve po e pamundësojnë këtë bashkëbisedim me qytetarët aty. Jemi të bindur që sjellja para drejtësisë e pjesëtarëve të këtyre dy entiteteve është garancë që bashkëbisedimi, e bashkëpunimi është i mundshëm dhe do të sjellë rezultate”, ka thënë Sveçla.
Qeveria u koordinua me partnerët për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Qeveria e Kosovës të enjten i ka shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që veprojnë në veri të vendit.
Sveçla në konferencë për media ka thënë se “padyshim që për këtë hap jemi koordinuar me partnerët”.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë. Ndonjëherë pajtohemi, ndonjëherë s’pajtohemi”, ka thënë ai.
Sveçla tutje ka bërë të ditur se pjesëtarët e komuniteteve joshumicë që kanë aplikuar për t’u bërë polic në konkursin e parë janë afër përfundimit të trajnimeve përpara se të dërgohen në veri. Ka shtuar se shumica janë serbë.
“Janë dy konkurse. Kemi shpall konkurs për komunitetet joshumicë, një numër i caktuar ka aplikuar. Tashmë trajnimi për kontingjentin e parë është në përfundim e sipër. Aty shumica janë serbë me përkatësi etnike. Ata shumë shpejt do të jenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe do të veprojnë në veri”, ka thënë ai.
Sveçla ka theksuar se edhe konkursi i dytë është gati në fazën përfundimtare përpara se të nisë trajnimi, ndërsa në këtë mënyrë pritet të mbushet boshllëku i lënë pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.