Arbëri

Koci: Mossanksionimi e trimëroi Serbinë ndaj Kosovës

Politikologu Milazim Koci deklaroi se mossanksionimi i Serbisë nga Bashkimi Evropian për mosnënshkrim të marrëveshjes së Ohrit, e trimëroi Beogradin për të krijuar tensione në veriun e Kosovës.

Ai deklaroi të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, se Serbia ka arritur ta minojë marrëveshjen me Kosovën dhe të presë ndryshime në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Pikënisje është marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, aty ka filluar rrëmuja. Mendoj se këtu ishte fillimi i problemit sepse kanë pritur që BE-ja të reagonte si bartës i dialogut. Mosnënshkrimi i dokumentit ishte sinjal i qartë që Serbia do ta minonte marrëveshjen. Ata hartuan strategji që nga incidentet, ekseset dhe nga një konflikt i kontrolluar të moslejohet zbatimi i marrëveshjes, por BE-ja dhe SHBA-ja të merren me menaxhim ditor të krizave, e jo me implementim. Në këtë drejtim, Serbia ia ka arritur, edhe për faj të Bashkimit Evropian që nuk e sanksionoi për refuzim të nënshkrimit të marrëveshjes. Kjo e trimëroi Serbinë që mund të vazhdojë një linjë të minimit të marrëveshjes që është shumë e favorshme për Kosovën”, deklaroi Koci.

Sipas tij, marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk e përmban njohjen, por e ka “obligimin që Serbia të pajtohet me përfshirjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”

“Një prej tyre është NATO. Mundësia shumë reale që Kosova të anëtarësohet në NATO. Në shikim të parë mund të duket e pamundur, por s’është sepse argumentet e kundërshtarëve për 5 vendet mosnjohëse...SHBA-ja do të kishte argument duke thënë pse kundërshtoni nëse Serbia s’e kundërshton anëtarësimin. Serbia po e lufton këtë. Beogradi e kupton se pos që Kosova do ta çimentonte pavarësinë, edhe çështja e veriut do të merrte fund”, deklaroi ai.

Politologu Koci u shpreh se aktualisht ka përplasje brenda strukturave ushtarake dhe shërbimeve sekrete serbe e ruse, për epilogun e luftës në Ukrainë.

“Nga vikendi i fundit, Beogradi ka zbritur ndërsimin ndaj Kosovës, kishte deklarime nacionaliste, por jo në përmasa që u pritën dhe s’kishte shpallje të Asociacionit”.