Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Borrell: Tejet i alarmuar me arrestimet e jashtëligjshme të serbëve në veri dhe marshimin e FSK-së

Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është shumë i alarmuar nga situata e re në veri të Kosovës, të premten. Ai është ankuar për “arrestime të jashtëligjshme të serbëve në Kosovë” e “marshimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës” në Mitrovicën e Jugut.

“Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe marshimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar ai në Twitter.

Të premten në veri, Policia e Kosovës arrestoi një serb nën dyshimin për përfshirje në sulm e rrezikim të anëtarëve të KFOR-it më herët gjatë protestave.

Nga FSK-ja është njoftuar se marshimi është realizuar në përputhje me planin mujor të trajnimeve dhe se për mbajtjen e tij është informuar komandanti i Batalionit të KFOR-it me bazë në Maxhunaj.

Një ditë më parë, Borrelli priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet përfunduan pa rezultat. Në konferencën për media pas takimeve, Borrelli ka thënë se pati “pajtim për nevojën për zgjedhje të reja”.

Edhe Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën Arbëri Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Edhe në këtë konferencë, Borrelli ka kërkuar “hetim të detajuar” për trajtimin e serbëve të arrestuar, ndërsa kërkoi lirimin e tre policëve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

*KOHA fillimisht ka përdorur termin “jashtë juridiksionit” në vend të “jashtëligjshme” në citatin e Borrellit. Për këtë lëshim, kërkojmë ndjesë