Sundimi i ligjit duhet të jetë premisa bazë e çdo zgjidhjeje përpara për veriun në Kosovë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të premten, Kurti me Begajn “në një takim të ngrohtë e miqësor”, kanë diskutuar për “marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy republikave”.
Në takim është përmendur edhe anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë. Sipas njoftimit, Kurti ka shprehur keqardhjen për anulimin nga Shqipëria. Ai ka thënë se me këtë rast është humbur “mundësia e nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja nga të cilat do të përfitonin qytetarët tanë”.
Kurti ka falënderuar Begajn për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për qëndrimin e tij në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, duke e dënuar këtë akt të agresionit dhe duke kërkuar lirim të menjëhershëm të tyre.
ZKM-ja ka njoftuar se Kurti “gjithashtu e njoftoi presidentin Begaj me propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në komunat në veri, teksa riktheksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë premisa bazë e çdo zgjidhjeve për rrugën përpara”.