2 perditesime
20:07

Kurti ndan me ambasadorët dëshmitë e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka ndarë me ambasadorët e akredituar në Kosovë dokumente, për të cilat ka thënë se dëshmojnë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i policëve kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të vendit.

“Kryeministri i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt sot në mëngjes, dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës. Kryeministri tha që ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për takimin e Kurtit me ambasadorët.

17:49

Përfundon takimi në Qeveri, ambasadorët s’deklarohen

Ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë dalë nga objekti i Qeverisë së Kosovës, pas qëndrimit prej më shumë se një orë e gjysmë. Bashkë me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, nga objekti i Qeverisë është parë teksa ka dalë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ambasadorët nuk janë deklaruar për mediat.

16:40

Ambasadorët e akredituar në Kosovë shkojnë në Qeveri

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë hyrë në objektin e Qeverisë të enjten pasdite. Në oborrin e Qeverisë janë vënë re edhe vetura të ambasadave të shteteve të tjera në Kosovë.

Një ditë më parë, në mesditë, Policia e Kosovës konfirmoi se tre zyrtarë të saj janë kidnapuar brenda territorit të shtetit të Kosovës, nga forcat serbe. Liderët e shtetit e kanë cilësuar këtë veprim si agresion nga Serbia, teksa kanë kërkuar reagim ndërkombëtar.

Deri tash, ambasadat nuk kanë dalë me qëndrime për situatën. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë qenë të heshtur që nga e mërkura.

Image