Kryeministri Albin Kurti ka konsideruar se masat e vendosura ndaj Kosovës pas situatës së krijuar në veri të vendit nuk janë fer dhe janë joproporcionale.
Në konferencën për media të mbajtur të martën pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, Kurti ka thënë se megjithatë Republika nuk zmbrapset dhe mekanizmat e shtetit janë të pavarur karshi ekstremistëve të dhunshëm.
“Veprimet tona të ligjshme dhe kushtetuese kanë shkaktuar tejreagim nga faktori ndërkombëtar sa i përket bashkëpunimeve që ne i kemi dhe kjo është parë edhe me anulimin e atij ushtrimi të përbashkët ‘Defender Europe 2023’ në Babaj të Bogës në Gjakovë. Të gjithë e kemi pritur ne gëzim këtë gjë. 1365 ushtarë kanë marrë pjesë, por nuk mund të zmbrapsin Republikën demokratike dhe mekanizmat e shtetit tonë të pavarur karshi ekstremistëve të dhunshëm. Masat që janë marrë ndaj nesh nuk janë fer dhe janë joproporcionale, sidoqoftë ne do ta vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin edhe më të dendur për të sqaruar çdo keqkuptim”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se megjithatë marrëdhëniet bilaterale me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme.
“Kur vjen puna te ndërmjetësitë evropian dhe amerikanë që vijnë te ne edhe me kërkesat e palës tjetër, sigurisht që ka sfida dhe vështirësi”, ka thënë më tej ai.