Arbëri

Zyrtarë të sektorit publik trajnohen në kompaninë që është denoncuar nga MSH-ja

 

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka deponuar në hetuesi kontratat me kompaninë ndërkombëtare VAMED, nën dyshimin për keqpërdorime me projektin e Sistemit të Informimit Shëndetësor. Por, në majin e këtij viti, 20 zyrtarë të sektorit publik të shëndetësisë, përfshirë edhe anëtarë të kabinetit të ministrit Vitia shkuan në Vjenë për t’u trajnuar pikërisht nga kjo kompani

Njëzet zyrtarë të sektorit publik të shëndetësisë u trajnuan në fund të majit në Vjenë nga një kompani që Ministria e Shëndetësisë e pati denoncuar për dështim në funksionalizimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH). E në mesin e zyrtarëve që morën mësime për nivelin bazik të menaxhimit të spitaleve janë përfaqësues të lartë të SHSKUK-së, njerëz të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe anëtarë të kabinetit të ministrit Arben Vitia.

Ministria e Shëndetësisë ndër vite kishte mungesë të kapaciteteve për operim të SISH-it nga ana teknike dhe për këtë kishte angazhuar operatorin e jashtëm, VAMED. Pas skadimit të kontratës Ministria refuzoi ta vazhdonte atë. Madje, në vitin 2019 ajo e dërgoi në hetuesi këtë kontratë bashkë me të tjerat që ishin lidhur me këtë kompani.