Morina akuzon institucionet për diskriminim ndaj personave LGBTI
Drejtori i organizatës për barazi dhe liri, Blert Morina, ka akuzuar institucionet e Kosovës për diskriminim ndaj personave të komunitetit LGBTI, veçanërisht dy vjetëve të fundit, duke iu referuar diskutimeve në Kuvend për Kodin Civil.
“Java e Krenarisë” ka nisur të hënën në Kosovën, ndërsa do të mbyllet të shtunën me aktivitetin kryesor në sheshin e Prishtinës. “T’du qashtu qysh je” është slogani i këtij viti për “Javën e Krenarisë.
“Ideja e sloganit ka qenë që këtë vit të targetojë shëndetin mendor, pas sfidave të fundit me pandeminë”, ka thënë Morina në “60 Minuta” të KTV-së.
Morina tutje ka thënë se personat LGBTI vazhdojnë të jenë në situatë të rënduar në Kosovë, ndërsa ka thënë se nuk janë marrë parasysh asnjë nga kërkesat e tyre në Kodin Civil.
“Vazhdon të jetë situatë e rënduar për personat LGBTI. Familja, shoqëria, rrethi, por edhe diskriminimi institucional. Kemi ligje të shkruar në letër, por ngecin kur kemi të bëjmë me zbatimin. Nëse e shohim diskutimin për personat LGBTI nga personat zyrtarë, jam mëse i bindur diskriminimi institucional është ende i pranishëm këto dy vjet. Po i referohem diskutimeve për Kodin Civil. Kurrë më shumë se vitin e kaluar nuk kemi parë gjuhë të urrejtjes nga deputetët. Për ne nuk ka rëndësi a kalon apo jo Kodi Civil, pasi nuk i kanë marrë parasysh kërkesat tona”, ka thënë ai.
Morina ka paralajmëruar se nëse Kodi Civil kalon në këtë mënyrë, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Tutje, Morina ka thënë se ia kanë dorëzuar fizikisht ftesën kryeministrit Albin Kurti për të marrë pjesë në paradën e nesërme. Pret që Kurti të vijë dhe të ketë pjesëmarrje të madhe në paradë.
“Kurti duhet të vijë që të përçojë edhe mesazh te shoqëria që refuzojnë komunitetin tonë. Po besoj që po do të jetë kryeministri. Përkrahja e një grupi të caktuar të kësaj shoqërie nuk duhet të qëndrojë vetëm në mendime personale. Presim pjesëmarrje të madhe në Paradën e Krenarisë. Është koha që shoqëria jonë ta kuptojë që ka njerëz të ndryshëm”, ka thënë ai.
Duke cituar një hulumtim të fundit, Morina ka thënë se Kosova vazhdon të qëndrojë si vendi më homofob në Ballkanin Perëndimor.
“Por ka diskrepancë, pasi për të shtatin vit me radhë, aktivitetet tona nuk shënojnë asnjë incident. Policia e Kosovës ofron një siguri të madhe. Krahasuar me vitin 2015, kur është bo hulumtimi i fundit, ka pasur progres”, ka thënë Morina.
Ai ka alarmuar se ka rritje të vetëvrasje të personave LGBTI, ndërsa pavarësisht kërkesave, nuk kanë marrë mbështetje nga institucionet.