Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me zhvillimet e fundit nuk është në lojë fati i kryeministrit Albin Kurti, por i gjithë Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se raportimet për shpalljen “non grata” të Kurtit janë të pakonfirmuara, por edhe të pamohuara.
“Nuk hyj fare në këto. Dhe nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë nëse janë apo nuk janë të vërteta përderisa nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë, të pakonfirmuara, por as të pamohuara. Por nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë”, ka thënë Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media të enjten lidhur me tensionet në veri.
Rama ka thënë se rreziku vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët, ku siç thotë ai, e humbur del Kosova.
“Dhe unë natyrisht dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, Qeverisë së Kosovës, Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova. Ky është shqetësimi im”, shtoi kryeministri shqiptar.