Arbëri

Rama akuzon Qeverinë e Britanisë se po e “përtërin dramën” për emigrantët shqiptarë

Kryeministri i Shqiupërisë, Edi Rama, e ka kritikuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, lidhur me deklarimet që tha ai për emigrantët shqiptarë.

Sunak tha se taktika e tij për të “goditur varkat e vogla” po funksionon.

Rama ka akuzuar Qeverinë e Britanisë se po e “përtërinë dramën” mbi emigrantët shqiptarë, ndërsa thotë se shqiptarët përbëjnë vetëm dy për qind e të gjitha arritjeve me anije të vogla nëpërmjet Kanalit Anglez.

“Qeveria e Britanisë nuk po mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerë dhe me shije të keqe të tjerret një dramë për përfitime politike. Më pak se dy për qind nga totali i atyre që arritën në Britani të Madhe ishin nga Shqipëria. Të vendosësh të flasësh për shqiptarët është shumë e ulët”, ka thënë Rama, raporton “The Telegraph”.

Sunak ka treguar se vetëm për gjashtë muaj janë kthyer “1800 azilkërkues shqiptarë në Shqipëri”.

Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme të Britanisë, që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Qeverisë së Britanisë dhe asaj të Shqipërisë, janë kthyer në Shqipëri 1788 shtetas shqiptarë.

Ndërsa raportohet se nga janari deri në mars të vitit 2023, janë kthyer me forcë 390 shqiptarë.

Sipas shifrave të autoriteteve britanike shqiptarët përbënin gati 30 për qind të arritjeve në Britani me varka të vogla gjatë vitit 2022. 85 për qind prej tyre aplikuan për azil.