Arbëri

Quni: Kurti e ka gjithë mozaikun e skenarit dhe asaj se me çka mund të sfidohet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka pasur të gjitha informatat sa i përket skenarëve të ngjarjeve të fundit në veri.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Quni ka thënë se Kurti e ka të gjithë mozaikun e skenarit, mundësive, rrjedhave dhe asaj se me çfarë mund të sfidohet.

Ai më tej e ka akuzuar Kurtin për mostransparencë lidhur me veprimet e tij sa i përket veriut, duke thënë se nuk po bashkëbisedon me liderët e partive politike dhe nuk po bashkërendon me partnerët ndërkombëtarë.

“Jam i bindur se z.Kurti i ka pasur të gjitha këto informata, ai ka informata edhe më shumë sepse janë ditore raportet e institucioneve të sigurisë, të cilat kryeministrit e kanë për detyrë t’i ofrojnë informatat relevante në bazë të së cilave kryeministri pastaj merr veprime. Jam më se i bindur se e ka komplet mozaikun e skenarit, mundësive, rrjedhave dhe me çka mund të sfidohet. Pse ndërmerren këto veprime që mbahen larg opinionit, nuk janë transparente, nuk bashkëbisedohet me liderët e partive politike brenda, nuk bashkërendohen me partnerët tanë dhe pse me aq këmbëngulje insiston që të gjitha këto zhvillime t’i mbajë larg opinionit është çështje për të cilën ai duhet të jap përgjigje”, ka thënë ai.

Quni ka vlerësuar se ambienti në të cilin kryetarët e rinj të komunave veriore mundohen ta ushtrojnë detyrën e tyre është ambient jonormal dhe i rrezikshëm.

“Ata janë duke u munduar ta kryejnë detyrën e tyre në një ambient shumë të rrezikshëm, armiqësor. Nuk janë të mirëpritur. E para, është një rrezik jete e tyre, e stafit të tyre dhe e të gjithëve që janë të angazhuar për sigurinë e kryetarëve të komunave. Jemi dëshmitarë që kryetarët kanë qenë të ftuar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, nga ta që vijnë nga radhët e PDK-së kanë marrë pjesë në takim, kurse kandidatët e Vetëvendosjes nuk ishin prezentë. Kemi qëndrime të ndryshme varësisht nga udhëzimet partiake që i marrin ata”, ka thënë ai.

Sipas deputetit të LDK-së, deklarata e komandantit të KFOR-it, Gjeneral Angelo Michele Ristuccia, ishte shumë e sinqertë, pasi sipas tij, ndërhyrja e trupave të KFOR-it ka ndaluar një gjakderdhje.

“Mos të kishin ndërhyrë forcat e KFOR-it aty do të ndodhnin ngjarje tragjike”, ka shtuar ai.