Arbëri

Peach: I pamatur veprimi i Qeverisë, u dëmtua imazhi i Kosovës

Stuart Peach

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se i ka dhënë një mesazh të qartë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me të të mërkurën.

Peach i ka quajtur të pamatura veprimet e Qeverisë në veri të vendit, me përpjekjen për t’i futur kryetarët e zgjedhur në objektet komunale.

“Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të futur kryetarët në objektet komunale me forcë ishte i pamatur dhe ka pasur pasoja të dëmshme”, ka thënë ai duke shtuar se ka nevojë për depërshkallëzim të menjëhershëm.

Ai ka thënë se ka folur më homologë në Washington, Bruksel dhe më gjerë, dhe se nga bisedat me ta një gjë ka dalë e qartë se “ngjarjet e fundit kanë shkaktuar dëm në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj me aleatët”.

“Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar krah Kosovës në kohë të mira e në të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë kështu, por veprimet e njëanshme vetëm sa do ta bëjnë këtë më të vështirë”.