Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, si hap i parë i shtensionimit, ka thënë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të martën në një konferencë për media.
Ai ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.
“Bashkimi Evropian e dënon dhunën në veri të Kosovës. Kjo sjell në një situatë të rrezikshme. Kam pasur kontakt me kryeministrin Albin Kurti këtë mëngjes dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq mbrëmë, dhe kam kërkuar nga të dyja palët që të marrin masa të shtensionohet gjendja. Si hap i parë pres që institucionet e Kosovës t’i heqin forcat policore nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit të qetësohen”, ka thënë Borrell.
Ai ka deklaruar se BE-ja pret që palët ta vazhdojnë dialogun.
Borrelli ka konfirmuar se po punohet që të organizohet një takim i nivelit të lartë në dialog.
“Ka pasur shumë dhunë. Ne kemi aktualisht një luftë në Evropë dhe nuk mund ta pranojmë edhe një konflikt tjetër”, ka thënë Borrelli.