Von Cramon: Ajo që po ndodh në veri është dhurata më e mirë për Vuçiqin

- 23:38Von Cramon: Ajo që po ndodh në veri është dhurata më e mirë për Vuçiqin
- 23:22Von Cramon për dakordimin e Ohrit: Negociatorët erdhën me një marrëveshje të dobët
- 23:18Von Cramon: Presioni ndaj Beogradit duhet të rritet
- 23:15Von Cramon: Serbët në veri nuk pajtohen me liderët e Beogradit
- 23:09Von Cramon: S’do të duhej të dërgohej Policia në veri pa mbështetjen e ndërkombëtarëve
- 23:08Von Cramon: Nuk është e mençur që me forca speciale të sigurohet qasja në ndërtesat e komunave
- 23:02Von Cramon sqaron se pse i tha policit në veri “çka dreqin ju solli këtu”
Von Cramon: Ajo që po ndodh në veri është dhurata më e mirë për Vuçiqin
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se ajo që po ndodh në veri të Kosovës është dhurata më e mirë për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ajo në një intervistë ne emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kur është pyetur se sa është eminent rreziku që të shpërthejë dhe të shpërndahet konflikti, ka thënë se “nuk është çështje e shpërndarjes, por në pyetje është se si e udhëhiqni shtetin brenda”.
“Siç e thashë më parë, krejt çka po ndodh në veri është një dhuratë për Vuçiqin. Si mund t’i bëni gjërat kështu kur Vuçiqi kishte organizuar tubimin në Beograd. Kjo ishte dhurata më e mirë për të. Dhe nuk dua ta konsolidoj pushtetin e Vuçiqit. Nuk dua ta fuqizoj pushtetin e tij dhe autoritetin e tij”, ka deklaruar Von Cramon.
Sipas saj të gjithë e thonë që kryeministri Albin Kurti, me veprimet e tij, po e fuqizon pushtetin e Vuçiqit në Serbi.
“Të gjithë e thonë atë. Nuk është ndonjë sekret. Por dua të them se nuk është punë e imja që ta gjykoj këtë, porse thjesht po them se me fotografitë që po i përçohen botës mbarë, është shumë e lehtë që të abuzohet kjo. Nuk po them se kjo nuk është e mundshme, nuk po vë në dyshim sovranitetin e kësaj qeverie, nuk po them se Qeveria nuk mund ta bëjë këtë”, ka deklaruar Von Cramon.
Ajo ka thënë se është herët të parashikohet se si do të ndikojë situata e re në veri në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Bashkim Evropian.
Sipas saj më mirë është që të fokusohen për të gjetur një zgjidhje të duhur. “Nuk dua të spekuloj. Nuk ka asgjë rreth heqjes së fondeve, ose për të bërë presion ndaj Kosovës. Mendoj se kjo nuk po diskutohet tani. Nuk dua të shantazhoj ose të bëj presion për të bërë që gjërat të ndodhin”, ka theksuar Von Cramon.
Sipas saj vizioni për të dalë nga kjo situatë është që të kthehet prapë besimi i qytetarëve, e kjo sipas saj, nuk bëhet “me forca të armatosura, me forca speciale të maskuara, me makineri me armatim të rëndë”.
Sipas Von Cramon kështu mund të krijosh situatë emergjente e përshkallëzim të situatës, siç ka thënë, sidomos për ata njerëz që nuk ndihen të përfaqësuar nga një person i zgjedhur me një grusht votash.
Ajo ka thënë se mendon që Kurti duhet të ketë qasje më ftuese për qytetarët e veriut.
“Për mua është në rregull, nëse dëshiron sundim të komunës me mbrojtje të policisë speciale edhe për një muaj, kjo nuk është çfarë më shkonte ndërmend, dhe isha vetë asambliste. Isha dy herë asambliste. Nuk mund ta marr me mend se na duhen mbrojtje për kryetarët tanë. Më falni që po e them”, ka theksuar Von Cramon.
Sipas saj situata e krijuar në veri është situatë e papërshtatshme politike. “Por ne duhet të tregohemi të durueshëm, duhet të vazhdojmë këtë proces, duhet të zmbrapsemi, duhet të mendojmë dy herë, por situata që është krijuar tashmë, për mua nuk është situatë e përshtatshme politike”, ka theksuar Von Cramon.
Von Cramon për dakordimin e Ohrit: Negociatorët erdhën me një marrëveshje të dobët
Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit.
Ajo në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se mendon që negociatorët kanë ardhur me një marrëveshje të dobtë.
“Mund të them se ishte gati që mos të konsiderohej fare si marrëveshje, në fund të ditës, të dyja palëve iu mungonte vullneti politik që të vinin në ndonjë përfundim dhe të pajtoheshin. Mendoj se negociatorët erdhën me një marrëveshje të dobët, me rezultate më të ulëta se që prisnim dhe rezultati është që ne tash duhet të jetojmë me nene të dobëta të marrëveshjes, me aneks-marrëveshjen, sekuencat dhe çdo gjë po vihet në pikëpyetje”, ka theksuar Von Cramon, duke shtuar se është e pakënaqur me mënyrën se si dolën rezultatet e marrëveshjes.
Sipas saj asnjëra nga palët nuk kishte mjaftueshëm interes për të gjetur zgjidhje. “Asnjëra palë nuk kishe interes në të vërtetë që të përpinte gjëra, të bënin hapa më të mëdhenj që nevojiteshin apo edhe hapat që bënë, ata u penduan ditën e më pastajme. Në këtë rast po flas për presidentin Vuçiq. Mendoj se është një situatë tejet e vështirë. Ne kemi shkopinjtë dhe karotat dhe ende vazhdojmë të shpresojmë se karota e integrimit evropian do të jetë atraktive mjaftueshëm”, ka theksuar Von Cramon.
Von Cramon: Presioni ndaj Beogradit duhet të rritet
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se presioni ndaj Serbisë nga Bashkësia ndërkombëtare duhet të rritet.
“Mendoj se presioni ndaj Beogradit duhet të rritet. Nuk ka dyshim për këtë gjë. Po dhe të pajtohemi për disa gjëra. Të zbatohen po ashtu pjesë të dialogut, sepse Qeveria këtu në Kosovë ka dyshime që ne, Bashkimi Evropian, nuk po vendosim presionin e njëjtë për Beogradin , dhe se po kërkojnë që komuniteti ndërkombëtar t’i trajtojë palët në mënyrë të njëjtë”, ka theksuar Von Cramon.
Ajo në një intrevistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë te Qeveria e Kosovës ndihet që presioni shkon kryesisht në Kosovë.
“Kështu ka përshtypjen Qeveria e Kosovës. Prandaj mund ta kuptoj këtë dhe mund të them, ‘po, ne duhet të vendosim presion mbi Beogradin derisa vetëm pak kohë pas Ohrit, ditën e më pastajme, çdo gjë u harrua në Beograd dhe Vuçiqi vazhdoi tutje si gjithnjë. Ai vazhdoi të kërkonte çnjohje të Kosovës, nuk votoi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i ka inkurajuar shtetet e tjera të votojnë kundër dhe këso lloj sjelljesh duhet të kritikohen më shumë”, është shprehur Von Cramon.
Von Cramon: Serbët në veri nuk pajtohen me liderët e Beogradit
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se serbët në veri nuk pajtohen me liderët e Beogradit.
Ajo ka thënë se frikësohet se njerëzit që janë opozitë e Beogradit, të atyre strukturave kriminale, do të ndihen të braktisur dhe do të ndihen që nuk janë duke u përfshirë nga Qeveria në Prishtinë.
Sipas saj, besimi është ashtu-kështu i ulët.
“E di se jo secili është kundër Prishtinës. Nuk dua ta them këtë. Aspak. Por njerëzit me të cilët kemi folur dje, janë njerëz të arsyeshëm, të mirarsimuar, dhe sa herë ne shkojmë atje, sa herë unë shkoj atje, na japin një pasqyrë që nuk duket shumë optimiste. Por kësaj here, ishte një pikturë shumë e errët. Dhe nëse i shtyni ata drejt Beogradit apo drejt liderëve serbë, me të cilët nuk është se pajtohen, atëherë ky është një sinjal shumë i keq. Do të duheshin ata si përkrahës tuaj. Si aleatë tuaj për integritet, për luftë ndaj korrupsionit”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti ka zhvilluar një takim konfidencial dhe se nuk mund të shikojë se çfarë sillet në kokën e tij.
“Paj, sot të gjithë e kanë parë se Policia është ende atje, KFOR-i është në terren po ashtu. Situata nuk është depërshkallëzuar, por po vazhdon edhe më forcërisht të jetë e njëjtë. Kjo është strategjia apo linja që kanë zgjedhur. Ndoshta ka diçka që po ndodh prapa shpinës, për të cilën unë nuk jam e njoftuar...”, ka thënë ajo.
Von Cramon: S’do të duhej të dërgohej Policia në veri pa mbështetjen e ndërkombëtarëve
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut. Por ka shtuar se duhet të ketë edhe një pikëvështrim të urgjencës.
“Ne kemi prezencë të madhe të institucioneve ndërkombëtare. I kemi EULEX-in, KFOR-in dhe misionin tjetër të Kombeve të Bashkuara dhe nuk jam duke e vënë në pikëpyetje sovranitetin e kësaj qeverie. Jo aspak. Por jam për të ndihmuar për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë ajo.
Ajo ka përsëritur se nuk po e vë në pikëpyetje sovranitetin e kësaj qeverie.
“Po e vë në pikëpyetje nëse është një vendim i mençur”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se politikë e mençur nuk është dërgimi i forcave policore në veri pa përkrahjen e miqve ndërkombëtarë.
“Jo. Nuk mendoj se kjo gjë është e mençur. Nuk kam qenë në të gjitha takimet me senatorët. Por mendoj siç kam thënë që ka të tjera zgjidhje, ku ju mund të bëni oferta, kur ju ofroheni me njerëzi në veri, që nuk do të thotë ta bëni këtë me forcë. Po, e di se BE-ja duhet të jetë më e ashpër kur vjen puna te kriminelët individualë. Do të dëshiroja që t’i vendosnim në listën e sanksioneve. Fatkeqësisht ne si BE nuk e kemi një listë të tillë të sanksionimit të të korruptuarve. Ne duhet të punojmë se si t’ia bëjmë me këtë dhe si ta zhvillojmë këtë. SHBA-ja është më e avancuar në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se për disa individë, që janë përgjegjës për frikësimin e qytetarëve, të cilët nuk i kanë në kampin e tyre, do të ketë masa më të ashpra.
E pyetur se për çfarë masa të ashpra bëhet fjalë, ajo ka thënë se nuk mund ta zbulojë.
“Nuk mund të zbuloj, sepse kjo nuk është për publikun, por ka forma që vijnë nga Prokuroria që do ta ndihmonin Qeverinë këtu në Kosovë dhe që do t’i ndiqnim pas...Mund t’i ngrijmë asetet e bëjmë të tjera gjëra, duke kufizuar lëvizjen e tyre e kështu me radhë. Mund të bëhet më shumë nga BE-ja nëse ka vullnet politik dhe pastaj, kështu do të tregonit se jo secili person në veri të Kosovës po shihet si kriminel. Dhe që ka një dialog që është duke ndodhur”, ka thënë ajo.
Von Cramon: Nuk është e mençur që me forca speciale të sigurohet qasja në ndërtesat e komunave
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se se dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur më parë është dënuar dhe se shtyrja e parë e zgjedhjeve nga ana e Qeverisë së Kosovës është vlerësuar lart nga të gjithë.
Ajo ka thënë se kjo është parë si një veprim për të qetësuar situatën në terren.
Von Cramon ka shtuar se hapi tjetër ishte që të shtynin të gjithë kandidatët serbë të merrnin pjesë në zgjedhjet që do të mbaheshin, por që sipas saj, nuk arritën.
“Uunë provova ta bëja përmes palëve të ndryshme, por mendoj se duhej më shumë presion. Rezultati ishte ky që ishte. Rezultoi me një ditë të qetë të zgjedhjeve dhe natyrisht ishte edhe një qëndrim i zakonshëm pas zgjedhjeve, se asnjë incident nuk ndodhi. Ishin zgjedhje të qeta, paqësore dhe po, legalisht nuk kishte ndonjë pikëpyetje”, ka thënë ajo.
Në gjithë këtë situatë, ajo ka thënë se pikëpyetja është politike.
Ajo ka shtuar se çështja është që edhe nëse de-jure, apo legalisht Kosova po vepron në pajtim me të drejtën e saj, Kushtetutën apo ligje të ndryshme, “a është politikisht e mençur, nëse ju i keni zgjedhur kryetarët me disa qindra vota apo edhe më pak, dhe e dini që shumica nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Pyetja është, a është e mençur që me përkrahjen e forcave speciale të Policisë të shkoni për të pasur qasje në ndërtesat e komunave?”.
Ajo ka thënë se kompromisi që po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të gjejë rrugë, por sipas saj jo me ato forcat speciale.
Ajo ka shtuar se forcat speciale janë të trajnuar definitivisht për situata të tjera e jo për të luftuar—jo për të luftuar.
“Mendoj se për këtë, ju keni bisedime në tavolina, keni raunde ndërmjetësuese, keni asistencë ndërkombëtare, për të adresuar në mënyrë të duhur çështjet. Dukshëm, çfarë kam dëgjuar nga senatorët amerikanë e nga palë të tjera, Gjermania e nga ambasadat e tjera, të gjithë kanë këshilluar Kosovën që të mos shkojë me qasje konfrontuese. Po natyrisht mund të përdorësh të drejtat kushtetuese”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nuk po flet në emër të BE-së por në emrin ee Parlamentit Evropian.
“Vvetëm se ne po zhytemi në një situatë shumë të tensionuar, dhe mbase të hysh ndryshe në këto ndërtesa apo mbase edhe ndoshta hiq në këto ndërtesa, por si një qeverisje teknike dhe e përkohshme e komunave, në mënyrë që të shpërndash buxhetin, të bashkëpunosh me qeverinë qendrore këtu...Nuk ka këtu ndonjë pikëpyetje. Është vetëm përdorimi i këtyre njësive speciale, me mjete të rënda. Dhe nuk e di se sa gjatë do të bëjnë një gjë të tillë. A do ta bëjnë këtë gjë edhe në javën e ardhshme, deri muajin e ardhshëm, kjo vetëm se ngre pyetje të tjera”, ka thënë ajo.
Von Cramon sqaron se pse i tha policit në veri “çka dreqin ju solli këtu”
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se e ka quajtur të frikshme vizitën e së dielën në veri të Kosovës.
Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se forcat e armatosura mund të jenë të frikshme për qytetarët e thjeshtë në atë pjesë.
Von Cramon ka thënë se e kuptonperspektivën e dikujt që udhëheq shtetin e Kosovës, që qeveris me një shtet të pavarur, që ky vendim mund të jetë racional, por sipas saj, për njerëzit në terren, kjo perceptohet si një situatë e frikshme.
“Ani pse nuk duhet të ndihen të kërcënuar, ani pse policia nuk i ka drejtuar këto aksione kundër tyre, sidoqoftë civilët nuk e kanë pritur këtë të ndodhë. Dhe për ta, disa prej tyre, kjo që po ndodh është një makth. Disa prej tyre nuk i kanë lënë banesat e tyre që nga dita e premte. Dhe kjo ishte ajo çfarë po e portretizoja”, ka thënë ajo.
Ajo ka komentuar edhe pyetjen të cilën ia ka bërë të dielën një polici në veri duke i thënë se “çka dreqin ju solli këtu”.
Von Cramon ka thënë se këtë pyetje e ka bërë pasi njerëzit ndiheshin të kërcënuar, në një ambient të cilin ajo e ka quajtur jocivil.
“Por ju duhet të më citoni krejtësisht. Jo vetëm këtë fjali. Ajo çfarë kam thënë është se ne kemi shikuar përreth, dhe nga perspektiva ime dhe njerëzve në terren, ajo çfarë po ndodhte nuk ishte në rregull. Njerëzit ndiheshin të kërcënuar, një ambient jocivil, me mjete të blinduara që dukeshin pothuajse sikur një situatë lufte, në një të diel të zakonshme, me policë që ndërroheshin...Po natyrisht, do t’i pyesja edhe në Gjermani policët të njëjtën gjë”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse do të ishte e pranueshme që edhe kryeministri i Kosvoës Albin Kurti t’ua bënte të njëjtën pyetje policëve në vendin e saj, ajo është përgjigjur me Po.
“Nëse do të kishte përshtypjen se një minoritet, njerëz që janë gati të përdorin forcën në një mënyrë jo të përshtatshme. Pse jo! Të lutem më cito drejt! Unë i thashë: Çfarë dreqin po bën, ani pse ju nuk jeni përgjegjës për këtë? Iu thashë atyre, natyrisht se nuk ndiheni as ju rehat, iu thashë se nuk ishte vendimi i tyre”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se ajo pyetje nuk ishte e adresuar për atë polic, dhe sipas saj, kjo është e qartë.
“Nuk i ishte adresuar atij djali të gjorë atje. Kjo është e sigurt dhe është e dukshme. Nëse e shihni videon e plotë, ne kalojmë goxha kohë aty me policët. Nuk është se unë dola nga vetura, kërceva dhe i thashë policit atë çfarë i thashë dhe ika”, ka thënë ajo.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se nuk ka qenë e menduar ashtu siç është thënë.
“Mirë. Nëse ajo e sheh kështu, është në rregull me mua. Nuk ka qenë e menduar ashtu nga unë. Nuk ka qenë për të fyer dikë individualisht. Nëse unë shoh një përdorim disproporcional të forcës, kudo qoftë, si në Ukrainë, si në vende të tjera apo qoftë edhe në vendin tim—Gjermani – po do ta artikuloj këtë, sepse kjo është e drejtë. Dhe ju lutem më citoni siç kam thënë! Nuk iu kam adresuar personit në terren”, ka thënë ajo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Michel: Mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen
Gërvalla: Eurodeputetët me kërkesë të qartë – pasoja për agresionin e Vuçiqit

Perteshi: Pas sulmit në Banjskë të gjitha kërkesat e Beogradit në dialog bien, edhe Asociacioni

Kryetari i Preshevës i dërgon letër Kurtit, i bën thirrje ta vazhdojë dialogun

Sveçla: Arrestimi i Radoiçiqit një veprim simbolik, Vuçiqi i përfshirë në çdo gjë

Politikani serb thotë se pas sulmit në veri qëndron Vuçiqi

Surroi: Qëllimi i grupit terrorist, krijimi i veriut si entitet i veçantë

Rama sërish bën thirrje që KFOR-i ta kontrollojë veriun: Kosova është pikë e nxehtë

Rumania do të sjellë trupa shtesë në Kosovë

Hill: Tërheqja e trupave e arrestimi i Radoiçiq hap i mirë, duhet zgjidhje politike

Shtëpia e Bardhë: Serbia ka filluar t'i tërheqë forcat nga kufiri me Kosovën
