Arbëri

Policia: Pesë të arrestuar e disa të lënduar në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë protestues janë arrestuar të hënën në veri, nën dyshimin se kanë lënduar disa zyrtarë të KFOR-it.

Në komunikatën e lëshuar nga Policia, thuhet se protestat kanë qenë më të dhunshme në komunën e Zveçanit, ku protestuesit nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtarë për largim dhe kanë rezistuar duke përdorur shok bomba, e armë zjarri.

“Protestuesit në Zveçan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri. Si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduar/plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se një veturë e Policisë është djegur dhe janë dëmtuar edhe disa vetura të tjera.

Sipas njoftimit të PK-së, nga tri komunat veriore ku po vazhdojnë protestat jopaqësore, protestuesit në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

“Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. PK-ja sipas mundësive iu ka ofruar siguri mediave/gazetarëve duke i zhvendosur në perimetër të sigurisë”, thuhet më tej në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, teksa është shtuar se autoritetet në vazhdimësi janë në koordinim me KFOR-in për menaxhim të situatës.

“Deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarrë ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore. Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën. KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike. Policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë”, thuhet në njoftim.