Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, diplomati evropian ka kërkuar edhe angazhim në zbatimin pa vonesa të marrëveshjeve të dakorduara në dialogun e Brukselit midis Kosovës e Serbisë. “Tani është esenciale që të dyja palët të ofrojnë dhe t’i zbatojnë gjitha obligimet pa vonesa, pasi që duhet të shfrytëzohet momentumi dhe të ecet përpara me zbatimin e marrëveshjes. Natyrisht, mjafton të përmenden konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku i nxit të dyja palët që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet që janë marrë përsipër, përfshirë edhe marrëveshjen e viteve 2013-2015 për Asociacionin”, ka thënë ai
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, e ka kualifikuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si parakusht për normalizimin e raporteve dhe për avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Diplomati evropian e ka shprehur këtë qëndrim gjatë takimit të mbajtur të enjten në Mitrovicë të Veriut me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë.
“Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për normalizim dhe progres në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar ai në Twitter, pas takimit me Rakiqin.
Varhelyi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka kërkuar edhe angazhim në zbatimin pa vonesa të marrëveshjeve të dakorduara në dialogun e Brukselit midis Kosovës e Serbisë.
“Tani është esenciale që të dyja palët të ofrojnë dhe t’i zbatojnë gjitha obligimet pa vonesa, pasi që duhet të shfrytëzohet momentumi dhe të ecet përpara me zbatimin e marrëveshjes. Natyrisht, mjafton të përmenden konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku i nxit të dyja palët që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet që janë marrë përsipër, përfshirë edhe marrëveshjen e viteve 2013-2015 për Asociacionin”, ka thënë ai.
E presidentja Osmani, e cila nuk e ka trajtuar çështjen e dialogut në konferencën e përbashkët për media, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar në rrugën drejt integrimit në BE.
“Përkushtimi për ta ofruar vendin tonë në BE mbetet i palëkundur dhe aplikimi për anëtarësim është rikonfirmim i kësaj. Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në. Kosova vazhdon të qëndrojë përkrahë aleatëve për ta mbrojtur demokracinë e vlerat që na bashkojnë”, ka theksuar Osmani. “Angazhimi ynë për ta forcuar policinë dhe për ta ngritur profesionalizmin janë prioritet për institucionet tona, sepse është gjëja më e duhur për qytetarët tanë. Siç e dini, pas vonesave të gjata dhe të padrejta, nga 1 janari i vitit të ardhshëm Kosova do të jetë më afër BE-së, me liberalizimin e vizave”.
Varhelyi kërkon luftimin e korrupsionit
Krahas mesazheve politike, diplomati evropian ka shprehur nevojën që Kosova të dëshmojë angazhim më të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta.
“Mirëpresim angazhimin e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe i krimit të organizuar. Kosova është në fazën e hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve, por për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme”, ka thënë ai. “Nëse ka një mesazh të qartë që vjen gjithmonë nga Prishtina dhe Kosova është se jeni shumë të përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në. Keni treguar angazhim dhe mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”.
Varhelyi është pritur të enjten edhe nga kryeministri Albin Kurti, porse pas përfundimit të bisedimeve, asnjë palë nuk është deklaruar për media.
Bazuar në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në takim është diskutuar për avancimin e agjendës së reformave evropiane, për bashkëpunimin institucional në sundimin e ligjit, për luftimin e krimit të organizuar, sigurinë energjetike dhe për integrimin rajonal.
“Kryeministri Kurti e njoftoi komisionerin Várhelyi me rezultatet e qeverisjes, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe atë demokratik, arritje këto që në vazhdimësi po evidentohen nga raportet ndërkombëtare, siç bën së fundmi ai i Bankës Evropian për Ndërtim dhe Zhvillim, që parasheh se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitet 2022 dhe 2023, dhe raporti i Freedom House ‘Vendet në Tranzicion 2023’, në të cilin Kosova sivjet ka marrë vlerësimin më të lartë ndonjëherë për cilësinë e demokracisë”, citohet të ketë thënë Kurti.
Siç shkruan në komunikatë, komisioneri Várhelyi është shprehur i impresionuar me rezultatet e arritura dhe ka theksuar se liberalizimi i vizave është rezultat i luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Bashkë, ata diskutuan për gjetjet e Raportit të Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Kurti ftoi komisionerin evropian edhe për më shumë bashkëpunim, sidomos në reformën në sistemin e drejtësisë, teksa u shpreh falënderues për ndihmën e vazhdueshme financiare të Bashkimit Evropian në shumë fusha, sidomos së fundmi në tejkalimin e krizës energjetike”, është thënë në komunikatë.
6.5 milionë euro ndihmë për MPB-në
Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe i Administratës Publike, Xhelal Sveçla, kanë lansuar edhe Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen veprimet në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.
Nëpërmjet këtij programi synohet forcimi i përafrimit të sektorëve të punëve të brendshme të Kosovës me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Duke filluar nga 1 marsi i 2023-tës, Programi i BE-së për Punë të Brendshme në Kosovë do të zbatohet me një buxhet prej 6.5 milionë eurosh dhe me kohëzgjatje prej 40 muajsh. Objektivi kryesor i këtij programi është që të promovohen sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore në Kosovë, duke lehtësuar ekipet e përbashkëta hetimore dhe duke rritur bashkëpunimin ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit. Projekti do të ofrojë edhe mbështetje operacionale, transferimin e aftësive dhe kompetencave për të përmirësuar efektivitetin e hetimeve në Kosovë.
“Ne jemi të kënaqur që të lansojmë Programin e BE-së për Çështjet e Brendshme të Kosovës, i cili përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në mbështetjen tonë të vazhdueshme për Kosovën. Ky program do të luajë një rol jetik në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit dhe promovimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Johannes Madsen, shefi i bashkëpunimit të BE-së në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia në Kosovë do të jenë përfituesit kryesorë të këtij programi, i cili do të ndjekë procesin e reformave madhore të këtyre dy instancave, duke i përafruar ato me standardet e BE-së. Në bashkëpunim të ngushtë me “Eurojustin”, “Europolin” dhe agjencitë e tjera përkatëse të zbatimit të ligjit të BE-së, projekti synon të nxisë krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, duke përmirësuar kapacitetin për hetime ndërkombëtare dhe ndërkufitare.
Për më tepër, Programi i BE-së për Çështjet e Brendshme në Kosovë do të trajtojë fushat kritike të reformës në Kosovë, duke përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sigurinë kibernetike. Projekti do të ofrojë asistencë për Ministrinë e Punëve të Brendshme në identifikimin dhe përcaktimin e infrastrukturës kritike kombëtare dhe evropiane, si dhe mbështetje në zhvillimin e planeve të sigurisë së operatorëve.
“Lansimi i Programit të BE-së për Çështjet e Brendshme të Kosovës shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sektorit të punëve të brendshme në Kosovë. Përmes këtij programi, ne synojmë të përforcojmë kapacitetet e inteligjencës dhe analizës së policisë, të zbatojmë policimin në komunitet në të gjitha nivelet dhe të përmirësojmë funksionimin kapacitet për hetime ndërkombëtare dhe ndërkufitare”, ka theksuar ministri i Brendshëm, Sveçla.
Në kuadër të programit do të bëhen përpjekje për të themeluar një Agjenci të Sigurisë Kibernetike dhe përafrimin e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e BE-së.