Arbëri

Murati fajëson opozitën për bllokimin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka fajësuar opozitën për bllokimin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend tash e disa muaj.

Murati ka thënë se si pasojë e këtij bllokimi, votimi i marrëveshjeve ndëekombëtare nuk po arrin të bëhet për shkak se nevojiten 80 vota.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që “të heqin dorë nga inatet politike” dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat sipas tij, do të hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme.

“Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare. Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes. Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MW gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër. Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane. Kundërshtimi i këtij projekti nga opozita, është përtej çdo logjike”, ka shkruar ai në Facebook.

 

Ai ka njoftuar se ka edhe marrëveshje të tjera të ngjashme të cilat presin për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi.

“Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për nënstacionet e KOSTT në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milionë euro tjera grant në pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që po ashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi. Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to”, ka shkruar ai.

Në mbledhjen e së hënës të Kryesisë së Kuvendit, nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për caktimin e seancës së re plenare në Kuvendin e Kosovës që parashihej të mbahej këtë të enjte.

Shefët e Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kanë fajësuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mosreflektim sa i përket bllokimit të Kuvendit.