Arbëri

IPK-ja heton zyrtarin policor, dyshohet se punësoi bashkëshorten në institucionin që e hetoi

Inspektorati Policor i Kosovës

Pas raportimit të KOHËS për dyshimet se zyrtari i njësisë së krimeve ekonomike ka ndikuar që bashkëshortja t’i punësohet në institucionin të cilin e kishte hetuar për keqpërdorim të tenderëve, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se është duke e hetuar këtë rast

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se është duke e hetuar rastin të zyrtarit policor, i cili dyshohet se punësoi bashkëshorten në institucionin që e kishte hetuar për keqpërdorim të tenderëve.

KOHA raportoi javën e kaluar se, zyrtari i njësisë së krimeve ekonomike, Fidaim Bërbatovci, është denoncuar edhe nga njëra prej kandidatëve që kishte aplikuar në konkursin e Komisionit Qendror Zgjedhor për ndërhyrje në proces nëpërmjet zëvendës/kryeshefit të sekretariatit në KQZ.

Kosovare Ibrahimi pretendon se i është kërkuar ta tërheqë ankesën, duke i thënë se “zyrtari policor ka të njofshëm” dhe nuk mund t’ia largojnë bashkëshorten nga puna.

“Duke iu referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se është duke e hetuar këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga Departamenti i Hetimeve në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dërguar KOHËS.

Sipas ligjit, “objekt i veprimtarisë hetimore të IPK-së është parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi i veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj, përfshirë edhe hetimet mbi incidentet e profilit të lartë disiplinor si dhe hetimin disiplinor të zyrtarëve policorë me gradën më të lartë të nivelit të lartë të menaxhimit dhe zyrtarëve të lartë të nivelit ekzekutiv”.

Nëse pas hetimit penal paraprak të një rasti IPK-ja përcakton se ka dyshim të arsyeshëm se punonjësi i policisë që ka qenë subjekt i hetimit, ka kryer vepër penale, IPK bën kallëzim penal dhe ia dërgon Prokurorit së bashku me dëshmitë.

Zyrtari policor i Njësisë së krimeve ekonomike, Fidaim Bërbatovci, kishte mohuar akuzat. Ndërkaq, sqarimet rreth implikimit në hetimet e tenderëve të KQZ-së, ai ka sugjeruar të kërkohen prej Policisë së Kosovës.

E në Policinë e Kosovës kanë refuzuar të komentojnë lidhur me përfshirjen e zyrtarit të tyre duke sugjeruar që t’u drejtohemi autoriteteve kompetente.

“Lidhur me çështjen mund t’u adresoheni autoriteteve kompetente”, kanë thënë shkurt në Policinë e Kosovës.

Subjekt i organeve të hetuesisë kanë qenë disa tenderë të KQZ-së që ishin nënshkruar për llogari të zgjedhjeve të 14 shkurtit të 2021-s. Hetimet patën nisur pas raportimit të KOHËS se kompania kontraktuese ka realizuar furnizimin, duke i devijuar specifikat e përcaktuara në kontratë. Dezinfektuesi i kontraktuar me përmbajtje 70 për qind alkool ishte pranuar nga KQZ-ja me përmbajtje zero alkool.

Më 28 prill, prokuroria e shtetit konfirmoi mbylljen e hetimeve lidhur me aktivitetin e prokurimit për furnizim me dezinfektues në KQZ, me arsyen se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. Megjithëkëtë, shkeljet në kontratë ishin konstatuar edhe në një raport të Auditorit të Brendshëm, sipas të cilit në të gjitha fazat e implementimit ka pasur mospërputhje.

Ligjshmëria e konkursit të KQZ-së është trajtuar edhe nga Auditori i Brendshëm i KQZ-së, Sylejman Gashi, porse ai ka refuzuar që t’i shpalosë gjetjet.