Arbëri

Hajdari: Falë fuqisë punëtore Kosova ka shumë potencial për investime

Është hapur në Prishtinë edicioni i 22-të i panairit ndërkombëtar “EXPOKOS”, në të cilin po marrin pjesë biznese të sektorit të ndërtimit, energjisë, makinerisë, mbrojtjes dhe sigurisë. Panairi do të qëndrojë i hapur edhe nesër në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Përveç bizneseve vendore, ky panair ka sjellë në vend edhe biznese nga Bashkimi Evropian, të cilët po prezantojnë bizneset e tyre.

Në ceremoninë hapëse, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, deklaroi se Kosova, falë fuqisë punëtore, ka shumë potencial për investime.

Hajdari tha se synojnë që Kosova të integrohet më shpejtë në Bashkimin Evropian. “Kosova ka shumë potenciale, sidomos për investime falë fuqisë punëtore të njeriut, falë resurseve tona njerëzore, por edhe falë resurseve natyrore, megjithatë resursi njeri është kryesor për zhvillim ekonomik. Jam e lumtur të ndajë shumë suksese nga bizneset e Kosovës që po rrisin investimet, po rrisin eksportet, por edhe investimet nga vendet evropiane e më larg që po vinë në Kosovë për shkak të mundësive që ka vendi. Është resursi, njeri, taksat, ligjet që kemi shtyrë për të bërit biznes, që përmirësojnë ambientin për të bërit biznes. Me këtë vizion ne synojmë që Kosovën ta integrojmë më shpejtë, industrinë tonë globalisht me prodhim në vlerë të lartë të shtuar dhe me ofrim për punësim të denjë për të rinjtë tanë. Kështu dalëngadalë duke u integrua sa më shpejtë në Unionin Evropian, aty vërtetë ku jemi Evropë ”, theksoi Hajdari.

Ajo mes tjerash tha se kanë nënshkruar marrëveshje për programin e tregut të përbashkët në unionin evropian, ku Kosova do të ketë mundësinë të marrë pjesë në të gjitha aplikacionet e programit që janë në vlerë me 4.2 miliardë euro, duke përfshirë bizneset e vogla e të mesme

Organizatori i panairit, Bekim Xhafa bëri të ditur se këtë vit numri i prodhuesve është në rritje.

“Këtë vit jemi mirë sepse numri i prodhuesve është në rritje dhe kemi shumë prodhues nga vendi të cilët janë në panair për të shtrirë dhe për të hapur dyer edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe me disa prej tyre kemi filluar që t’i bëjmë edhe marrëveshjet dhe partneret adekuat. Këtë vit kemi edhe një mysafir që ka bërë një rrugë më të gjatë, një institucion gjerman, është asociacioni për ndërmarrje të mesme në Gjermani, që kanë në ombrellën e tyre 900 mijë anëtarë të cilët janë në Prishtinë dhe kanë një stendë këtu që është në shërbim të bizneseve kosovare për të krijuar lidhje në tregun gjerman”, tha Xhafa.

Se panairet janë mundësi e mirë për të promovuar bizneset e thonë edhe përfaqësuesit e bizneseve.

Elmedina Kelmendi, financiere, tha se falë panairit po promovojnë biznesin e tyre dhe po lidhin bashkëpunim me biznese tjera.

“Për neve si fabrikë është hera parë që po marrim pjesë në panair, i cili po na mundëson promovimin dhe bashkëpunimin edhe me biznese tjera. Shpresojmë që ky panair të jetë një vegzë bashkëpunimi edhe me ndërkombëtarë e me biznese vendore”, tha Kelmendi.

Ndërsa, Ylber Pllana, pronari i një nga biznesi në vend, u bëri thirrje institucioneve përkatëse të organizojnë më shumë panaire të tilla.

“Ky është panairi i parë që ne marrim pjesë. Po prezantojmë mjete të reja, dhe inovative që janë në Kosovë. Në këto panaire ne si për produkte vendore e të importura, nëse janë të mira duhet të promovohen sa ma shumë...7:14 Bëjmë thirrje që të ketë panaire sa më shumë për promovimin e këtyre produkteve”, tha Pllana.

Edhe Fatmir Muja, i cili po promovon produktet e kompanisë së tij, tha se panairet e tilla ndihmojnë në rritjen e klientëve.

“Çdo panair, promovim sjellë një risi të re, krijon një njohje me klientët tanë e të rinj, të cilët e vizitojnë stendën tonë dhe i shohin produktet e reja. Dhe gjithmonë duke avancuar edhe ne në produktet tona kemi arrit një sukses të madh edhe në BE dhe jemi shumë atraktiv në tregun e Kosovës”, tha Muja. / KP

.