Arbëri

Bislimi: S’është rastësi që Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka publikuar të enjten një grafikë, ku sipas tij, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e ka gjetur Kosovën si vendin me rritjen ekonomike më të lartë në rajon, ndërsa ka shtuar se kjo nuk është rastësi, por meritë e punës së Qeverisë Kurti.

Sipas Bislimit, BERZH-i parashikon që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt.

“Së fundmi, BERZH e gjeti Kosovën si vendin me rritjen ekonomike më të lartë në rajon për vitin 2023. Ajo parashikon që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt. Banka Botërore dhe FMN e kanë vlerësuar gjithashtu vendin tonë për rritjen ekonomike dhe trendin pozitiv”, ka shkruar Bislimi në Twitter.

Këto rezultate, siç ka thënë Bislimi, nuk janë të rastësishme, teksa si synim e kanë eliminimin e pabarazive.

“Trajektorja në të cilën e kemi drejtuar vendin është ajo e duhura, ku do të shohim përfitimet në vitet në vijim. Qëllimi ynë është që kjo rritje të jetë e qëndrueshme. Të zvogëlohen pabarazitë dhe të ketë shpërndarje të barabartë për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ai.

Kosova është anëtare e BERZH-it që nga viti 2012. Që nga atëherë, BERZH-i ka investuar rreth 600 milionë euro në ekonominë kosovare.