I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka qëndruar të enjten në Kosovë. Në orët e hershme është takuar me kryeministrin Albin Kurti e zv.kryeministrin Besnik Bislimi. Takimin me Kurtin, Lajçak e ka përshkruar si intensiv derisa ka thënë se iu është bërë e qartë qëndrimi i BE-së se si duhet të ecet me formimin e Asociacionit. Kryeministri Kurti ka thënë se kërkojnë zbatim pa vonesa e në plotësi të marrëveshjes së arritur derisa ka paralajmëruar hartimin e një “vizioni për komunitetin serb”
Takimi që të hënën, më 15 maj, do të zhvillojnë kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq ka sjellë të enjten në Kosovë emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Por, në takim, që u mbajt herët në mëngjesin e së enjtes, me vonesë erdhi kryeministri Albin Kurti.
Pas diskutimit rreth dy orësh, emisari i BE-së ka pohuar se takimi ishte intensiv, por i dobishëm.
Lajçak ka thënë se janë duke u munduar që të gjejnë një mes edhe sa i përket formimit të Asociacionit, duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të palëve.
“Ne kemi diskutuar se si BE-ja e sheh draftimin e statutit në detaje dhe kryeministri Kurti dhe mendoj që kemi pasur mirëkuptim të procesit”, ka thënë ai.
Draftstatuti i propozuar nga Ekipi menaxhues është kundërshtuar nga kryeministri Albin Kurti, derisa ka prezantuar një draft-vizion të tij.
Megjithëkëtë drafti i prezantuar më 2 maj, për Bashkimin Evropian do të jetë pikënisje për diskutimet e mëtejme.
Lidhur me modelin që Kosova ka propozuar të marrë si bazë për formimin e Asociacionit, Lajçak nuk ka qenë konkret në përgjigjen që ka dhënë.
“Çfarë është e pranueshme për BE-në është ajo që është e bazuar në parimet dhe vlerat evropiane e që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. E kemi thënë qysh në fillim”, ka deklaruar Lajçaku.
Pas takimit me Lajçakun nuk është deklaruar kryeministri Kurti. Por, gjatë ditës ka thënë se kanë insistuar që të zbatohet në plotësi e pa vonesa marrëveshja e arritur.
Krahas implementimit, është shprehur se tani do të punojnë për sigurimin e nivelit adekuat për komunitetin serb.
“Tash jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit siç e sheh neni i 7 i marrëveshjes së dakorduar duke mos e anashkaluar nenin 10. Ky është synimi i ynë paralelisht me atë që duhet të ketë implementim të plotë dhe sa më të shpejtë”, ka deklaruar Kurti.
Vizita e emisarit slloven në Kosovë është e para që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit më 18 mars.
Të premten, Lajçak do të qëndrojë edhe në Serbi.