Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, ka vlerësuar se qëndrimet e adresuara nga BE-ja dhe nga ambasadorët e huaj në Kosovë kundër vendimit të Qeverisë për lirimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe reflektojnë se Kosova nuk po trajtohet palë e barabartë me Serbinë. E në raport me shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit nga Serbia, ai ka thënë se BE-ja ka qenë e heshtur
Të njëanshme dhe diskriminuese e kanë kualifikuar njohësit e çështjeve politike dhe juridike reagimin kritik të zyrtarëve ndërkombëtarë karshi Kosovës rreth vendimit të Qeverisë për lirimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit menaxhues, i cili e ka përpiluar dhe e ka prezantuar në Bruksel draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Qeveria ka marrë vendim për lirimin e tyre nga detyra, pasi që ata e kanë bërë prezantimin e draftit të parë në takimin e 2 majit në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Këtë vendim, zyrtarët në BE dhe ambasadorët e huaj në Kosovë e kanë vlerësuar si veprim në kundërshtim me frymën e marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi.
Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, i ka cilësuar si të dëmshme dhe të njëanshme këto qëndrime dhe ka vlerësuar se ato reflektojnë që Kosova nuk trajtohet palë e barabartë me Serbinë. Ai ka shprehur vërejtën se në raport me shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit nga Serbia, BE-ja ka qenë e heshtur.
“Në mënyrë joparimore, diskriminuese dhe, edhe fyese... thjesht Kosovën vazhdimisht përpiqen ta korrigjojnë, disiplinojnë edhe për raste dhe çështje të cilat nuk e kanë atë rëndësi ose të paktën e kanë të njëjtën rëndësi, sikurse reagimet (shkeljet) e Serbisë, të cilat janë flagrante në aspektin e moszbatimit të të gjitha marrëveshjeve të të gjitha fazave”, ka theksuar Baraliu.
Me gjithë qëndrimin kundërshtues të ndërkombëtarëve, profesori Milazim Krasniqi e ka cilësuar si veprim të duhur porse të vonuar shpërndarjen e përbërjes së Ekipit menaxhues. Ai ka shtuar se një ekip tjetër i këtillë do të duhet që të jetë në koordinim me Qeverinë e Kosovës.
“Ai draft nuk duhet që të jetë bazë për diskutime dhe duhet që të formohet një komision tjetër, i cili do të duhet që të formohet me njerëz që në fakt e pranojnë Qeverinë e Kosovës. Sepse ky Komision, Ekipi menaxhues, nuk ka pranuar që të komunikojnë as me telefon me ministrin Elbert Krasniqi. Prandaj, ka shumë punë në këtë aspekt”, ka thënë ai.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të shtunën e ka përsëritur qëndrimin se kjo përbërje e ekipit menaxhues nuk ka merituar që ta vazhdojë punën, pasi që ka përpiluar një dokument që është në përputhje vetëm me interesat e Serbisë.
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan. Kjo ka qenë edhe thirrje imja”, është shprehur ai.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka kritikuar gjatë së premtes shkarkimin e ekipit, duke thënë se veprimi është në kundërshtim me marrëveshjen dhe se Ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri në miratimin e statutit të Asociacionit. E megjithëse e ka kritikuar veprimin, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë çfarëdo lloj statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Por Baraliu ka thënë se as Qeveria dhe as opozita në Kosovë nuk kanë qenë mjaftueshëm të zëshme në reagimin karshi kritikave.
“Kjo Qeveri, sikurse edhe ato para saj, po tregohet inferiore dhe servile mbase ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila po vazhdon me avazin e vjetër, me politika të gabuara ndaj tyre dhe ndaj Kosovës dhe prandaj do të duhej zëshëm të reagonin. Më shumë se kaq, do të duhej edhe opozita e cila për çështje tepër triviale herë-herë reagon me vend e pa vend, këtu do të duhej zëshëm”, ka thënë ai.
Lidhur me çështjen, KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Në një përgjigje nga Kryeministria kanë thënë se për qëndrim duhet të merret si referencë reagimi i Klisman Kadriut, këshilltar i zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi.
Kadriu, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka shprehur qëndrimin se deklarata e zëdhënësit të BE-së reflekton se ai nuk ka njohuri për zhvillimet në dialog por ka vetëm gatishmëri për ta kundërshtuar Kosovën.
“Gatishmërinë e njëjtë duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull, vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, ka shkruar Kadiu.
Ekipi menaxhues, i përbërë nga Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq, është shkarkuar më 3 maj, një ditë pas takimit Kurti-Vuçiq në të cilin është shpalosur drafti për statutin e Asociacionit.