Arbëri

Profesionistëve shëndetësorë nuk u llogariten pagat me koeficiente të reja

 

Me gabime në përllogaritjen e koeficientit që e përcakton Ligji i ri i Pagave është bërë ekzekutimi edhe i pagave të treta për profesionistët shëndetësorë. Në disa prej spitaleve rajonale treguan për diskrepancë të madhe në kalkulim të pagave, ndërsa në SHSKUK thanë se po punohet në korrigjimin e pagave dhe theksuan se të gjithë ata që kanë marrë të ardhura mujore më pak sesa përcaktohet me ligj, do të kompensohen

Që nga shkurti, kur ka nisur zbatimi i Ligjit të Pagave, profesionistët shëndetësorë janë ankuar se kanë hasur në probleme, me pagën e tyre mujore. Edhe në këtë muaj, pagat atyre u kanë dalë në mospërputhje me koeficientet.

Në spitalet rajonale treguan të enjten se mjekëve dhe infermierëve nuk u janë llogaritur pagat bazë dhe kujdestaritë me koeficientet e reja, të caktuara me këtë ligj.